Ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku, shkarkoi sot nga detyra kreun e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Afrim Qendro.
Në vend të Qendros, Zonja Balluku, emëroi Sonila Qaton, ish-ministre e Shtetit për Sipërmarrjen.
Ministrja Balluku nuk ka dhënë shpjegime për shkarkimin e Qendros. Shkarkimi i tij vjen një ditë pas largimit nga detyra dhe të administratorit të Operatorit të Sistemit të Transmetimit (OST), Klodian Gradeci. Të dyja këto largime erdhën pas skandalit me kompaninë guackë, DH Albania, e cila përfitoi 30 milionë euro në dy tendera publikë, me dokumente të falsifikuara.
Kompania guackë u zgjodh fituese nga Ministria e Infrastrukturës dhe ARRSH për lotin e parë të projektit të Unazës së Re, projekt me vlerë 18 milionë euro. Më pas, kompania fitoi dhe tenderin prej 12 milionë eurosh për linjën e transmetimit të energjisë Burrel-Peshkopi, dhënë nga OST.
Të dy tenderët u anulluan pasi gazetari Ylli Rakipi dhe deputeti demokrat Agron Shehaj, bënë publike dokumentet e falsifikuara, me të cilat kompania DH Albania kishte marrë pjesë në tender.
Deri më tani nuk dihet nëse do të ketë hetime penale ndaj dy drejtuesve të shkarkuar, Qendro e Gradeci.