Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shkarkoi sot nga detyra kryetarin e gjykatës së Vlorës, Skënder Haluci, për shkak të problemeve me pasurinë.
Vendimi u mor nga Olsi Komici, Roland Ilia dhe Valbona Sanxhaktari.
Gjyqtari Haluci kundërshtoi vendimin e KPK-së dhe e akuzoi atë se po i ngarkon mbi supe një pasuri rreth 1 miliardë lekë të vjetra, të cilin ai nuk e ka dhe nuk ka përse ta vërtetojë. Ai e quajti analizën financiare të KPK-së ‘surreale’.
Nga hetimi administrativ, KPK ka gjetur se pasuria e gjyqtarit dhe bashkëshortes së tij, dy apartamente, një papafingo dhe një sipërfaqe toke, nuk justifikohen me të ardhurat e tyre.
Përveç pamundësisë financiare përmes burimeve të ligjshme, KPK gjeti dhe pasaktësi në deklarimet e pronave, ku gjyqtari ka deklaruar në dokumente sipërfaqe më të vogla ndërtimi nga sa janë realisht.
KPK ngriti dyshime dhe për shpenzimet e gjyqtarit Haluci për shkollimin dhe jetesën e vajzës në Bosnje dhe SHBA.
Po ashtu, KPK gjeti probleme me vërtetimin e pasurisë së bashkëshortes së gjyqtarit, pasi ndër vite mungonin provat se ajo ka paguar taksat dhe tatimet.
Të gjitha këto gjetje, gjyqtari Haluci i kundërshtoi duke e quajtur të gjithë analizën financiare të KPK-së si surreal. Ai tha se vazja e tij ka studiuar me bursë jashtë, ndërsa për të shoqen tha se nuk e ka pyetur asnjëherë për pagesën e taksave, pasi ajo vetë ka qenë avokate.