KPA shkarkon anëtarin e sapozgjedhur të Gjykatës Kushtetuese Muçi

KPA shkarkon anëtarin e sapozgjedhur të Gjykatës Kushtetuese Muçi

Kolegji i Posaçëm i Apelimit shkarkoi sot nga detyra anëtarin e Gjykatës Kushtetuese Besnik Muçi, për shkak të problemeve me pasurinë.

KPA deklaroi se Muçi ‘ka kryer deklarim të pasaktë dhe të pamjaftueshëm të pasurisë së tij dhe personave të lidhur me të’.

Besnik Muçi nuk e pranoi vendimin e KPA-së dhe deklaroi se KPA nuk mund të gjykojë anëtarët e GjK-së:

“Në momentin që kam bërë betimin në zyrën e Presidentit dhe kam marrë funksionin e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese e kam humbur statusin e Prokurorit.

Në momentin që kam humbur statusin e Prokurorit dhe jam anëtar i Gjykatës Kushtetuese, KPA nuk ka pasur më kompetencë për vazhdimin e shqyrtimit të çështjes sime.

Çështja ime ka filluar për shkak të funksionit tim si prokuror. Në momentin që ka përfunduar statusi im si prokuror sipas nenit 130 të Kushtetues dhe nenit 64 të ligjit për statusin e Magjistratit unë nuk jam më subjekt.

KPA nuk ka më kompetencë mbi anëtarin e Gjykatës Kushtetuese.”

Deri më tani Gjykata Kushtetuese ka 5 anëtarë: Vitore Tusha, Besnik Muçi, Fjona Papajorgji, Elsa Toska dhe Marsida Xhaferllari, por nuk dihet ende se çfarë do të ndodhë me mandatin e Muçit.

Siç Exit ka shpjeguar më parë, emërimi i tij si anëtar i GJK-së është bërë në respektim të ligjit. Por në përpjekje për të zgjidhur krizën kushtetuese të shkaktuar nga mungesa de facto e Gjykatës Kushtetuese, dhe nën presionin e Partisë Socialiste, e cila premtoi se gjykata do të ishte funksionale deri në fund të verës, në mars KED vendosi të hiqte dorë nga procesi i plotë i vetingut për kandidatët, ndaj Muçi kandidoi për të qenë pjesë e GjK-së megithëse për të nuk kishte një vendim të formës së prerë që tregonte se ai ka kaluar vetingun.

Presidenti Meta e emëroi atë anëtar të GjK-së më 16 tetor.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>