Pas situatës problematike, me 70 të infektuar dhe disa vatra infeksioni, bashkia Shkodër ka vendosur të marrë masa të ashpra për të ndaluar përhapjen më tej të Covid-19.
Kryetarja e bashkisë Voltana Ademi dhe prefekti i komanduar Besfort Lamallari vendosën më 13 prill, që të mbyllin për 2 javë tregun në lagjen Zdrale dhe të shtrëngojnë masat e sigurisë në Merkatën e Rusit.
Forcat e policisë do të shtohen në rrugët e qytetit dhe do të gjobisin këdo që del pa autorizim, në shkelje të distancave të sigurisë dhe në grup.
Po ashtu, do të vëzhgohen më me kujdes shtëpitë e personave të infektuar, që janë të izoluar në shtëpi, për të parandaluar çdo lëvizje të pacientit dhe familjarëve.
Ademi dhe Lamallari vendosën që konvikti i universitetit Luigj Gurakuqi në Shkodër të kthehet në karantinë për shqiptarët që vijnë nga jashtë.
Shkodra është qyteti i dytë pas Tiranës për numrin më të lartë të të infektuarve: 70.
Më 13 prill, u zbuluan 13 pacientë të rinj në disa vatra të ndryshme.
Ndër vatrat më të rrezikshme është spitali rajonal, ku vetëm dje një infermiere ka infektuar 4 pacientë. Infermierja e ka marrë virusin nga një tjetër infermier me Covid-19, i cili u infektua nga një paciente.
Deri të dielën 12 prill, shkodranët, megjithë urdhrat për kufizimin e lëvizjes dhe ruajtjes së distancimit social, lëviznin lirisht në qytet.
Në tregje e rrugë, qytetarët ecin pa masa mbrojtëse dhe shumë pranë njëri-tjetrit, shpesh dhe në grupe. Situata ishte veçanërisht shqetësuese në tregje.
Në një video të Report.tv duket qartë dyndja e qytetarëve në tregje e rrugë më 11 prill, megjithë masat kufizuese për parandalimin e përhapjes së Covid-19.
Të dielën e Pashkëve, 12 prill, kur nuk lejohet asnjë lëvizje, shkodranët dolën në rrugë për të takuar familjarët dhe miqtë dhe për të bërë adetet e festës.