Shkrimtarë, publicistë e përkthyes do të zhvillojnë sot një pelegrinazh me rastin e 79 vjetorit të ndarjes nga jeta të At Gjergj Fishtës, një ndër shkrimtarëve më të mëdhenj shqiptar.
Poeti Rexhep Shahu njoftoi se pelegrinazhi do të mbahet në Fishtë dhe do të zhvillohet në heshtje si shenjë proteste për ato që nuk kemi bërë për Gjergj Fishtën.
Në një intervistë në ABC News, poeti Shahu u shpreh:
“Do shkojmë në Fishtë me hesht për Fishtën. Fishta është sot ende i papranuar. Për Fishtën në vitet e demokracisë flitet, por ende nuk ka një fishtologji. Është shkrimtari i parë shqiptar i propozuar për çmim Nobel. Është shkrimtari i parë shqiptar i njohur ndërkombëtarisht.
Ne nuk i kemi çfarë ti themi Fishtës dhe shkojmë dhe heshtin. Duke heshtur shkrimtarët hesht pjesa themeltare e shoqërisë. Kur shkrimtarët se nuk kanë çfarë ti thonë Fishtës, ndjehen borxhlinj ndaj Fishtës, heshtin.”
Poeti tha se disa herë i është propozuar presidentëve të vendit që të ketë një çmim me emrin e shkrimtarit Gjergj Fishta, por deri më tani ky propozim nuk ka gjetur mbështetje.
At Gjergj Fishta lindi në Fishtë, më 23 tetor 1871 dhe u nda nga jeta më 30 dhjetor 1940 në Shkodër.
Ai luajti një rol të madh në letërsinë shqipe por dhe në jetën politike të vendit.
At Gjergj fishta ishte kryetar i komisionit për hartimin e alfabetit në Kongresin e Manastirit, anëtar i delegacionit të qeverisë Përmeti në Konferencën e Versajës dhe zëvendëskryetar i legjislativit shqiptar më 1921.
Ndër veprat më të njohura të tij janë Lahuta e Malcísë, Gomari i Babatasit, Mrizi i Zânavet, Shqyptari i gjytetnuem, etj. Ai po ashtu ishte themeluesi dhe drejtori i revistët Hylli i Dritës, revista e parë e botuar shqiptare, nisur në vitin 1913.
Pas vitit 1945, kur u vendos regjimi komunist, vepra e Fishtës u ndalua dhe qëndroi e tillë derisa u përmbys diktatura komuniste.