
Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ka bërë publike listën me 13 kandidatë që garojnë për të qenë Inspektoriri i Lartë i Drejtësisë, institucionit përgjegjës për hetimin e shkeljeve disiplinore ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve.
Kandidatët janë:
— Altin Hazizaj, jurist, ish-kandidat për në Këshillin e Lartë Gjyqësor;
— Artur Malaj, gjyqtar i Gjykatës Administrative;
— Artur Metani, Avokat i Përgjithshëm i Shtetit;
— Elira Kokona, Sekretarë e Përgjithshme e Minsitrisë së Drejtësisë;
— Klodian Rado, ekspert pranë projektit EURALIUS, ish-gjyqtar;
— Genci Gjoncaj, Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit;
— Lefteri Lleshi, ish-drejtuese e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve;
— Marsida Xhaferllari, drejtuesja e Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë;
— Mimoza Qinami, avokate, më herët ka kandiduar për të qenë pjesë e Këshillit të Lartë të Prokurorisë;
— Suzana Frashëri, juriste, ish drejtuese programi pranë Këshillit të Europës, ish gjyqtare;
— Eris Hysi, avokat;
— Ferdinand Caka, avokat;
— Genci Ismaili, avokat.
Bie në sy kandidimi i shumë zyrtarëve të qeverisë apo ish-kandidatë për në poste të tjera në institucionet e reja të drejtësisë.
Altin Hazizaj ka kandiduar më parë për në Këshillin e Lartë Gjyqësor, proces gjatë së cilit u zbulua se Hazizaj kishte falsifikuar formularin e dekriminalizimit.
Elira Kokana është Sekretare e Përgjithshme e Ministrisë së Drejtësisë dhe më parë ka patur të njejtin pozicion pranë Ministrisë së Kulturës.
Genci Gjoncaj është aktualisht Sekretar i Përgjithshëm i Kuvendit, përgjegjës për një sërë vendimesh gjatë përzgjedhjes së kandidatëve për në KLGJ dhe KLP, disa prej të cilave kanë rënë ndesh me rekomandimet e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit.
Artur Metani është Avokati i Përgjithshëm i Shtetit, emëruar nga Kryeministri Rama në dhjetor 2018.
Këshilli i Lartë i Drejtësisë do të bëjë renditjen e kandidatëve bazuar në plotësimin e kushteve, dhe më pas do të dërgojë në Kuvend një listë me pesë kandidatët e renditur më mirë.