Duket se Kosova do të ketë një qeveri koalicioni midis Lëvizjes Vetëvendosje (VV) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) si “e vetmja alternativë” e përcaktuar nga vota popullore.
Vjosa Osmani, kandidate për kryeministre e LDK-së, la të nënkuptohet se kryeministër do të jetë Albin Kurti, duke u shprehur se vetë ajo do t’i shërbejë vendit “pavarësisht se ku [do jetë]”.
Deklarata e Osmanit erdhi pas dy momenteve të rëndësishme pas zgjedhjeve të së dielës.
Fillimisht, menjëherë pas zgjedhjeve disa media ngritën hamëndësimin se LVV mund të lihej jashtë qeverisjes, e cila mund të formohej nga LDK-ja me parti të tjera, qoftë edhe PDK-në e Kadri Veselit dhe AAK-në e Ramush Haradinajt.
LVV pritet të ketë 31 deputetë në Parlamenti me 120 vende të Kosovës, LDK 30 deputetë, PDK 25 deputetë, AAK-PSD rreth 14 deputetë, ndërsa 20 deputetë do t’i përkasin pakicave etnike.
Së bashku, LVV dhe LDK, të renditura të parat në zgjedhje, bëjnë 61 deputetë—minimumin për të krijuar qeverinë.
Duke marrë parasysh diferencën e vogël prej vetëm rreth 5 mijë votash mes LVV-së dhe LDK-së, si dhe ankesat e LDK-së për disa parregullsi në procesin zgjedhor, pati një shqetësim publik se LDK mund të kërkonte ta drejtonte ajo qeverinë dhe për këtë arsye mund të ishte e hapur për një qeveri pa LVV-në.
Ky opinion dukej i besueshëm edhe për faktin se ndaj LVV-së ka pasur vazhdimisht rezerva të mëdha nga faktori ndërkombëtar, i cili luan rol kyç në politikën e brendshme dhe të jashtme kosovare.
Në vijim të këtyre pikëpytjeve, para dy ditësh Albin Kurti deklaroi prerë se nëse ai nuk do të formonte dot koalicion me LDK-në, Kosova do të shkonte sërish në zgjedhje, çfarë shtoi zërat për lënien e LVV-së jashtë qeverisjes.
Deklarata e Osmanit i rrëzon këto hamendësime dhe paralajmëron koalicion qeveritar LVV-LDK.
Si formohet qeveria e re në Kosovë?
Neni 95 i Kushtetutës së Kosovës përcakton se pasi formohet parlamenti, Presidenti i propozon atij kandidatin për kryeministër, pasi është konsultuar me partinë ose koalicionin partiak “që ka fituar shumicën e nevojshme në Kuvend për të formuar qeverinë”.
Brenda 15 ditëve, kandidati për kryeministër sjell për votim në parlament qeverinë e tij, e cila quhet e miratuar nëse e voton shumica e deputetëve, pra të paktën 61 deputetë.
Në të kundërt, brenda 10 ditëve Presidenti emëron sërish një kandidat për të formuar qeverinë, i cili mund të jetë i njëjti me të mëparshmin. Nëse as kabineti qeveritar i propozuar prej tij nuk merr 61 vota, atëherë Presidenti shpërndan parlamentin dhe shpall zgjedhjet e reja.
Në këto kushte kërcënimi i Kurtit për ta çuar vendin në zgjedhje duket politikisht i besueshëm. Pa LVV-në, LDK-së do t’i duhej patjetër të bënte koalicion me PDK-në e Veselit dhe Thaçit dhe me AAK-në e Haradinajt ose deputetët e pakicave.
Por një koalicion mes LDK-së dhe PDK-së duket i vështirë. Bashkëqeverisja mes tyre ka dështuar dy herë në të shkruarën, me kosto të lartë për LDK-së, së cilës i është dashur të tërhiqet para kohe nga qeverisja të dyja herët (më 2010 dhe më 2017), duke e çuar vendin në zgjedhje të parakohshme, të cilat pastaj i ka humbur.
Dy vitet e fundit, LDK ka qenë në opozitë të ashpër me qeverisjen e shumicës PDK-AAK, duke bashkëpunaur natyrshëm me LVV-në.
LDK dhe LVV kanë biseduar vazhdimisht muajt e fundit dhe kanë qenë afër krijimit të një koalicioni parazgjedhor—të dyja kanë pohuar se e shohin njëra-tjetrën si partnere të natyrshme për të qeverisur dhe të dyja janë deklaruar kundër qeverisjes me partitë e shumicës së mëparshme.
Prandaj, konfirmimi nga Osmani se LVV dhe LDK do të qeverisin është një zhvillim i pritshëm. Ajo që mbetet e paqartë është nëse ato do ta zgjerojnë koalicionin me parti të tjera, pasi koalicioni i tyre do të kishte mbështetje të brishtë të 61 deputetëve nga 120 në total.
Duke qenë se ato nuk pritet të përfshijnë koalicionin AAK-PSD, mbetet për t’u parë nëse do të ftojnë në qeverisje deputetët e pakicave.
Më herët, Kurti ka përjashtuar Listën Serbe si të mundshme për bashkëqeverisje, çfarë lë të hapur mundësinë për koalicion me rreth 10 deputetët e pakicave të tjera: romë, ashkalinj, egjiptianë, boshnjakë, turq e goranë.