
Deputetët kosovarë vendosën sot shpërndarjen e parakohshme të parlamentit, pas vetëm 2 vitesh punë.
Në seancën pa debat, 89 deputetë votuan pro shpërndarjes, një kundër dhe një abstenim. Në seancë nuk morën pjesë deputetët e Listës Serbe.
Pak përpara votimit, Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli deklaroi: “Mos dhashtë Zoti të ketë kuvend më dembel se sa ky!”
Kuvendi u shpërnda pas dorëheqjes së Kryeministrit Ramush Haradinaj më 19 korrik, pas thirrjes nga Gjykata e Hagës për ta marrë në pyetje për krimet e luftës së Kosovës.
Tani pritet që në 10 ditët e ardhshme, Presidenti Thaçi të vendosë datën e zgjedhjve të parakohshme.