Bashkimi Europian do të dhurojë dhe 100 milionë euro të tjerë për kryeqytetin e Libanit, Beirut, për të përballuar pasojat e shpërthimit të 4 gushtit.
Eurokomisioneri për Zgjerimin Oliver Varhelyi e lajmëroi vendimin e Be-së përmes një postimi në Twitter:
“BE mobilizon 100 milion euro shtesë në përgjigje të shpërthimit në portin e Beirut, Liban. BE veproi pa vonesë për të mbështetur popullsinë e prekur nga shpërthimi.”
Paketa prej 100 milion € përfshin:
– një shumë prej 34 milion eurosh nga financimi dypalësh i vitit 2020 për Libanin pjesë e Instrumentit të Fqinjësisë Evropiane, i cili do të ridrejtohet për të përmirësuar qeverisjen dhe llogaridhënien;
– financim i ri prej 64.5 milion €, i kanalizuar përmes fondit rajonal të besimit të BE-së.
Më herët BE ka dhuruar dhe 70 milionë euro të tjera, menjëherë pas shpërthimit, për të përmbushur nevojat e menjëhershme për pajisje mjekësore dhe ndërhyrje urgjente në infrastrukturë.
Në 4 gusht 2020, një depo me nitrat amoni pranë portit të Beirutit, shpërtheu duke shkaktuar 137 viktima, mbi 10 mijë të plagosur dhe qindra godina të shembura.