Kryetari i Partisë për Drejtësi Integrim dhe Unitet (PDIU) Shpëtim Idrizi paralajmëroi, të shtunën, largimin nga koalicioni qeverisës, nëse nuk respektohet marrëveshja mes PDIU-se dhe PS-së.
Sipas marrëveshjes, së bërë në vitin 2015, PDIU duhet të kishte marrë postin e një ministri, të disa zëvendësministrave dhe të disa drejtorive të rëndësishme. Por deri më tani, ajo ka marrë vetëm drejtimin e dy drejtorive, atë të Drejtorisë së Përgjithshme të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit dhe të Inspektoriatit të Kontrollit të Cilësisë së Karburanteve.
Zoti Idrizi i kërkoi Këshillit Kombëtar të partisë së tij rimandatimin e tij në krye të saj, me qëllim që të hyjë dhe një herë në bisedime me qeverinë për zbatimin e marrëveshjes.
“Nëse nuk zbatohet marrëveshja, alternativat janë të hapura, sepse prezenca jonë është e fortë dhe solide,” deklaroi ai.
Zoti Idrizi është kryetar i PDIU-së që prej vitit 2011, vit kur dy partitë që mbronin interesat e komunitetit çam, PDI dhe PDU, u bashkuan. Para bashkimit ai ishte themelues dhe kryetar i Partisë Drejtësi e Unitet.