Këtë të dielë u luajt një nga ndeshjet më të famshme dhe më të shikuara në botë: Liverpool-Manchester United. Ndeshja, që u pa nga dhjetra milionë shikues, u transmetua direkt në çdo vend të planetit. Në fakt, në çdo vend me përjashtim të dy vendeve: Koresë së Veriut dhe Shqipërisë.
Korea e Veriut, si vend komunist ka zgjedhur vetë të mos transmetojë ngjarje e aktivitete të botës kapitaliste, duke u vetëizoluar si një vrimë e zezë në mes të botës. Ndërsa Shqipëria është i vetmi vend në planet i konsideruar “vrimë e zezë” në mes të botës.
Prej dy vitesh, Federata Angleze e Futbollit (FA) nuk i shet Shqipërisë të drejtat e transmetimit të kampionatit anglez, pasi të dy transmetues të liçensuar në të shkuarën abuzuan në mënyrë të përsëritur me të drejtat e liçensës. Kryesisht, ata lejuan të shiten nga palë të treta dhe të përdoren karta abonimi jashtë territorit të Shqipërisë, duke bërë konkurencë të pandershme ndaj atyre që kishin të drejtat e ligjshme të transmetimet në ato territore.
E thënë më thjeshtë, Shqipëria është një vend ku nuk sundon ligji dhe rregullat e lojës, por abuzimi dhe përfitimi i paligjshëm. Një vend ku nuk respektohen të drejtat intelektuale, qoftë edhe të një prej organizatave më të famshme dhe më serioze të sportit botëror.
Në fakt, një realitet i tillë është i përhapur gjerësisht në Shqipëri: shumë transmetime të huaja televizive në vend janë, ose të vjedhura, ose në shkelje të të drejtave të liçensuara të transmetimit.
E njejta gjë ndodh edhe në art, kulturë, shkencë e fusha të tjera—muzika e huaj transmetohet pothuajse gjithmonë pa të drejta autori, shumë libra përkthehen e botohen pa të drejta, sikurse edhe artikuj të mediave të huaja, tekste shkollore e kështu me rradhë!
Të drejtat e pronësisë janë një nga shtyllat e ekonomisë së tregut, sidomos në epokën moderne të shoqërisë së informacionit. Por, ato janë krejtësisht të neglizhuara në Shqipëri.
Në këtë drejtim, më shumë se me një vend europian, Shqipëria e sotme ngjan me Shqipërinë e dikurshme, e cila nuk respektonte asnjë pronësi intelektuale, dhe me Korenë e Veriut sot, e cila është shumë larg realitetit të një vendi ku jetojnë qytetarë, të drejtat e të cilëve garantohen nga ligji.