Ministri i Ekonomisë së Maqedonisë Kreshnik Bekteshi deklaroi sot se qeveria po punon për të ngritur një qendër që ofron të gjitha shërbimet e nevojshme (one-stop shop) në kontrollin e përbashkët kufitar me Shqipërinë.
Qëllimi i projektit është të lehtësojë tregtinë e lirë të mallrave, të përmirësojë menaxhimin e përbashkët të pikës kufitare dhe të rrisë tregtinë ndërmjet dy vendeve, sqaroi ministri Bekteshi.
“Maqedonia është plotësisht e angazhuar në rritjen e bashkëpunimit me vendet në rajon, duke krijuar një zonë të përbashkët ekonomike, e cila do të rrisë konkurrencën për kompanitë tona”, shtoi ai.
Zbatimi i një projekti të përbashkët të kontrollit doganor përmes sistemit të një pike shërbimi që ofron shumë shërbime midis Maqedonisë dhe Shqipërisë është pjesë e planit të veprimit për krijimin e një zone ekonomike rajonale në Ballkanin Perëndimor, i miratuar gjatë Samitit të BE me vendet e Ballkanit Perëndimor të mbajtur në Trieste në vitin 2017.
Si Shqipëria, ashtu dhe Maqedonia janë nënshkruese të Konventës Ndërkombëtare për Thjeshtësimin dhe Harmonizimin e Procedurave Doganore.