Shqipëria është i vetmi vend në Evropë që pret pemë më shumë se sa mbjell. Shifrat e publikuara nga Agjencia Evropiane e Mjedisit tregojnë se në vitin 2010, viti i fundit për të cilat ka të dhëna zyrtare, në Shqipëri u prenë 5,5 herë më tepër sipërfaqe me pyje krahasuar me sipërfaqet që u mbollën.
Shqipëria është i vetmi vend në Evropë që raportin e sipërfaqes së pyjeve të prera me atë të pyjeve të mbjella e ka më të lartë se 1, çka bën që sipërfaqja e pyllëzuar ndër vite të ulet.
Në pjesën tjetër të Evropës, ky raport është relativisht i qëndrueshëm dhe mbetet nën 0.8, rezultat ky që ka lejuar rritjen e sipërfaqeve të mbjella dhe numrin e pyjeve në total.
Shqipëria, gjithashtu, ndër vite ka rritur ndjeshëm prerjen e pyjeve dhe në krahasim me veten. Kështu:
- Në vitin 1990 Shqipëria priste 2.4 herë më shumë sipërfaqe me pyje krahasuar me sipërfaqet që u mbollën;
- Në vitin 2000 Shqipëria priste afro 3 herë më shumë pyje krahasuar me sipërfaqet që u mbollën;
- Në vitin 2010 Shqipëria priste 5.5 herë më shumë pyje krahasuar me sipërfaqet që u mbollën.
Në vitin 2015, Këshilli i Ministrave, si përgjigje ndaj shpyllëzimit, miratoi moratoriumin 10 vjeçar të pyjeve, i cili hyri në fuqi në shkurt 2016. Në bazë të këtij moratoriumi ndalohet prerja, shfrytëzimi dhe tregtimi i pyjeve, përveçse në rastin e plotësimit të nevojës së qytetarëve për dru zjarri.
Shkeljet e këtij ligji përbëjnë kundërvajtje administrative dhe dënohen me gjobë, dëri në pesë milionë lekë.
Po sipas moratoriumit, qeveria duhet të nisë aksione për të përmirësuar situatën e pyjeve në vend.