Shqipëria mund të bëhet një nga dy qendrat për grumbullimin dhe përpunimin e emigrantëve që kërkojnë të hyjnë në BE.
Kjo mundësi është bërë e ditur nga Politico Europe, që i referohet burimeve të Komisionit Europian.
Në mbledhjen e Këshillit Europian të Qershorit, krerët e qeverive të BE-së pritet të miratojnë krijimin e të ashtuquajturave “platformave rajonale të zbarkimit”, të cilat do të krijohen në territore jashtë BE-së.
Ato do të shërbejnë për ndalimin, grumbullimin dhe përzgjedhjen e emigrantëve që i janë drejtuar BE-së, duke i ndarë refugjatët që kanë nevojë për mbrojtje, nga emigrantët ekonomikë të cilët do të duhet mundësisht të kthehen në vendet e origjinës.
Ky propozim është hartuar nga Presidenti i BE-së Donald Tusk si një zgjidhje politike e problemit të emigrantëve të BE-së, e cila mund të kënaqë si forcat me linjë të ashpër kundër emigrantëve, ashtu edhe ato të cilat kanë qendrime më dashamirëse të tyre.
Drafti i deklaratës që Tusk do t’i paraqisë Këshillit Europian në fund të muajit, ndër të tjera shprehet:
“Këshilli Europian mbështet zhvillimin e konceptit të platformave rajonale të zbarkimit, në bashkëpunim të ngushtë me UNHCR-në dhe IOM-in. Platformat e tilla do të lejojnë procedurat të shpejta për dallimin mes migrantëve ekonomikë dhe atyre që kanë nevojë për mbrojtje ndërkombëtare, dhe për të ulur motivimin për të ndërmarrë udhëtime të rrezikshme.”
Komisioni Europian ka vlerësuar se është e nevojshme të krijohen të paktën dy qendra të tilla zbarkimi, një në Afrikën Veriore dhe një në Ballkan.
Dy vendet kryesore që po konsiderohen janë respektivisht Shqipëria, për emigrantët që ndjekin rrugën e Mesdheut lindor, përfshi atë tokësore përmes Ballkanit, dhe Tunizia për ata që ndjekin rrugën perëndimore përmes Mesdheut.
Të gjithë emigrantët që janë nisur në udhëtim drejt BE-së me anë të detit apo tokës do të drejtohen të zbarkojnë në qendrën më të afërt, nga dy qendrat e mësipërme, ku do të akomodohen dhe do të përpunohen.
Vetëm ata që vlerësohen që kanë arsye për të kërkuar azil në BE do të ridrejtohen për në tokën e BE-së, kurse të tjerët do të kthehen mbrapsht në vendin e origjinës ose do të ofrohet zgjidhje tjetër.
Ky plan i BE-së duket se ka mbështetjen paraprake edhe të UNHCR-së. I dërguari i Posaçëm i UNHCR-së për refugjatët në Mesdhe, Vincent Cochetel, u shpreh para një jave për France Presse për domosdoshmërinë e krijimit të qendrave të tilla në Afrikën e Veriut dhe në Ballkan.
Pas një takimi në Bruksel me Ministrat e Brendshëm të vendeve të Ballkanit, Komisioneri i KE-së për Migracionin dhe Punët e Brendëshme Avramopolous nuk e pohoi por as nuk e mohoi faktin se Shqipëria po konsiderohet për krijimin e një qendre për emigrantët. Duke iu shmangur përgjigjes direkte, ai u mjaftua me mohimin se në takim nuk ishte trajtuar kjo temë, duke u shprehur se “nuk u zhvillua ansjë diskutim për ngritjen e kampeve në Shqipëri apo në ndonjë vend tjetër në Europë.”
Nëse BE do të miratojë një plan të tillë, është thuajse e sigurtë që qeveria shqiptare do të dalë vullnetare për hapjen e një qendre të tillë në Shqipëri.
Kryeministri Rama e shprehu publikisht gadishmërinë e tij pët t’i dhënë “ndihmë” BE-së , pas një takimi me kancelarin austriak Kurtz në muajin maj. dhe të njejtën gjë pritet t’i konfirmojë Ministri i Brendshëm Xhafaj homologut të tij gjerman Seehofel gjatë një takimi që të dy do të kenë të enjten në Berlin.