Në Samitin e Ballkanit Perëndimor në Trieste, Bashkimi Evropian miratoi 194,1 milionë euro grante për sektorin e transportit rrugor dhe sektorin e energjisë. Ky financim është pjesë e Axhendës së Bashkëpunimit për periudhën 2015-2020 me vlerë 1 bilion euro. Deri më tani, rreth 501,3 milionë euro janë përdorur për mbështetjen e 20 projekteve të ndryshme në rajon.
Por, po të shikojmë shpërndarjen e granteve të reja, është e qartë se Kryeministri Edi Rama ka dështuar në sigurimin e çdo investimi të ri.
Nga 194,1 milionë euro të investuara nga BE-ja,përfituesi kryesorë është Serbia me 78 milionë euro investim për ndërtimin e linjës së interkonjeksionit me Bullgarinë dhe ndërtimin e linjës hekurudhore nga Nishi në kufirin bullgar. E dyta, renditet Maqedonia me një grant prej 70 milionë euro për ndërtimin e hekurudhës. Bosnje – Hercegovina mori pjesën e mbetur prej 46.1 milionë euro investime për projekte të ndryshme infrastrukturore.
Që prej vitit 2015, Shqipëria ka përfituar vetëm 10 për qind të fondit prej 501,3 milionë eurosh të miratuara nga BE. Në total, deri më tani, Shqipëria ka përfituar 50,1 milionë euro investime. Vendi jonë renditet më poshtë edhe se sa Kosova, e cila ka përfituar 56,1 milionë euro investime nga BE-ja në kuadrin e Axhendës së Bashkëpunimit për zhvillimin e infrastrukturës.
Në të njëjtën kohë, Shqipëria ka mbetur pas në projektet e financuar nga BE në vitin 2015 dhe 2016. Pjesa shqiptare e linjës së interkonjeksionit ndërmjet Fierit dhe Bitola/ Manastiri në Maqedoni, e miratuar më 2015, është ende në fazën projektuese, kur ndërkohë Maqedonia, për pjesën e saj ka hapur procedurat e tenderimit.
Financimi i një pjese të Korridorit Hekurudhor Mesdhetar ndërmjet Tiranës dhe Durrësit u miratua në 2016-ën, por edhe ky projekt është ende në faze projektimi.
Raportit i Axhendës së Bashkëpunimit për vitin 2017 i publikuar për Samitin e Triestes tregon qartë se në krahasim me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, Shqipëria sistematikisht po mbetet në zbatimin e projekteve dhe shumë më pak e aftë të bindë BE të investojë në infrastrukturën e vendit.