Gjatë pesë viteve të fundit, Shqipëria është bërë burim dhe vend tranzit për trafikimin e njerëzve. Kështu shkruhet në raportin e përvitshëm të Departamentit amerikan të Shtetit për Trafikun e Qenieve Njerëzore.
Shqipëria shërben si vend tranzit për trafikantët nga Azia Qendrore dhe Afrika për t’i kaluar viktimat e tyre drejt Evropës Perëndimore.
Raporti thekson ndër të tjera se qeveria shqiptare nuk përmbush nivelin minimal të standardeve për eleminimin e trafikut të qenieve njerëzore.
Shqipëria duhet të përmirësojë dhe zbatojë ligjet për mbrojtjen e viktimave dhe t’i ofrojë atyre më shumë mbështetje, qoftë dhe duke mbështetur financiarisht organizatat joqeveritare që punojnë në këtë fushë, shkruhet në raportin e DASH.
Më tej në raport shkruhet se:
Për herë të parë në vitin 2016 është përdorur nga qeveria “fondi i veçantë” për mbrojtjen e viktimave të trafikut;
Policia në shumicën e rasteve nuk arrin të identifikojë rastet e trafikimit dhe viktimat e tij;
Në të paktën dy raste, dy viktima të trafikimit u hetuan dhe u dënuan për veprime të paligjshme të kryera si rezultat i nënshtrimit gjatë trafikimit, edhe pse ligji e përjashton viktimën nga ndëshkimi për krimet e kryera si rezultat i shfrytëzimit të tyre;
Qeveria ka ulur fondet për të vetmen strehëz shtetërore nga rreth 186 mijë euro në vitin 2015, në 169 mijë euro në vitin 2016.
Ndërsa rekomandime më domethënëse për Shqipërinë janë:
Duhet plotësuar dhe zbatuar ligji që përjashton viktimat nga dënimi për veprimet e paligjshme të kryera si pasojë e drejtëpërdrejtë e nënshtrimit gjatë trafikimit;
Duhen trajnuar policia, inspektorët dhe zyrtarë të tjerë për të identifikuar sa më herët viktimat e trafikimit;
Duhet të vihen përpara drejtësisë trafikantët e qenieve njerëzore;
Duhet rritur mbrojtja e viktimave nga frikësimi dhe kërcënimet gjatë procesit të gjykimit të trafikantëve.