Vitet e fundit Serbia dhe Mali i Zi kanë tërhequr investime qindra milionëshe për ndërtimin e centraleve të erës, njohur si parqe eolike. Në Shqipëri, ky burim energjie po jepet pak për shfrytëzim, përgjithësisht kompanive vendase pasi qeveria ka dështuar të tërheqë investitorë të huaj. Ajo u ka dhënë prioritet hidrocentraleve. Parqet eolike janë lënë në plan të dytë.
Serbia përuroi së fundmi parkun më të madh të prodhimit të energjisë elektrike nga era në Ballkan. Çibuku 1 (158MW) kushtoi 300 milionë euro dhe u ndërtua nga një konsorcium kompanish finlandeze (Taaleri Energia 30%) gjermane (DEG 10%) dhe arabe (Masdar 60%). Kjo e fundit, filial evropian i ndërkombëtares Mubadala në Abu Dhabi, kompania më e madhe e investimeve në energjitikë nga Emiratet.
Kompania Masdar ndërtoi gjithashtu centralin Krnovo (72MW) në Mal të Zi. Projekti u realizua në bashkëpunim me kompaninë franceze Akuo Energy, kushtoi 120 milionë euro dhe nisi ndërtimin që në vitin 2015. Sot është në punë.
Mozura (46MW) dhe Gvozd (50MW) janë projektet e tjera në Mal të Zi, me kosto rreth 160 milionë eurove. Mozura është marrë përsipër nga kompani malteze dhe kineze ndërsa Gvozd nga kompani gjermane dhe austriake. Mali i Zi synon që në të ardhmen 1/3 e energjisë ta prodhojë duke shfrytëzuar energjinë e erës.
Nëse flasim sërish për Serbinë ajo konsiderohet pionere e rajonit. Bashkë me Çibuku 1, janë vënë në punë 7 parqe eolike: Kovaçica, Alibunar, Malibunar, Kula, La Piccolina dhe Devreç 1. Në total janë rreth 330MW energji elektrike që tashmë prodhohen duke shfrytëzuar erën. Objektivi është arritja e 500MW dhe kontratat janë nënshkruar edhe për centralin Plandishte (102MW) me kosto 160 milionë euro. Serbia synon që 27 për qind të prodhimit kombëtar ta realizojë përmes energjisë së rinovueshme.
Maqedonia e Veriut ka realizuar centralin Bogdanci (36.8MW) dhe ka siguruar financimet për ta zgjeruar më tej me 13MW kapacitetin duke ndërtuar edhe 4 turbina të tjera me kosto 21 milionë euro. Synimi i Maqedonisë së Veriut është që të ulë nevojat për të importuar energji, që aktualisht shkon në rreth 30 për qind të konsumit total.
Shqipëria nuk ka ende asnjë central eolik. Gjërat nuk kanë ndryshuar shumë prej vitit 2008 kur Enti Rregullator i Energjisë licencoi 7 kompani: Hera, Enpower Albania, Biopower Green Energy, Ers-08, Alb-Wind-Energy, Unione Eolika Albania, E-Vento Albania.
Projektet më madhore ishin ato të Enpower Albania, filial i italianes Moncada Energy Group, dhe kompanisë tjetër italiane Marseglia Group, për të ndërtuar një park eolik rreth 500MW në Karaburun dhe një tjetër 410MW në veri të Shqipërisë.
Synimi ishte që përmes energjisë së erës Shqipëria të mund të gjeneronte 1,350MW dhe sipas një raporti të asaj periudhe nga ERE “parashikohej investim prej 2 miliardë eurosh”.
Por 10 vite më vonë asnjë park eolik nuk është vënë në punë. Me ndryshimin e qeverive janë përfolur për projekte të tjera, por asnjë nuk ka qenë me investim të njohur ndërkombëtar.
Era Milot propozoi projekt 36MW në Fushë-Kuqe të Kurbinit, ERS-08 propozoi projekt për park 17MW në Bardhor të Kavajës, Eurus dhe WF Energy shfaqën interes për një park 10MW në Karaburun.
Në vitin 2017 qeveria dha lejen e parë për një park eolik (12MW) në Tepelenë nga Alb Building që zotërohet nga Pëllumb Beta dhe Odhise Bresha dhe të cilët njihen për ndërtime pallatesh dhe rrugësh.
Në muajin korrik të këtij viti qeveria dha lejen e ndërtimit të parkut (2MW) në Topojë të Fierit nga Max Energy, kompani e zotëruar nga avokati i njohur Maks Haxhia, ish-kryeprokuror në fillim të viteve ’90.
Megjithëse konsiderohet me potencial për zhvillimin e parqeve eolike, Shqipëria mbetet prapa rajonit në këtë perspektivë energjitike. Qeveria nuk e ka vënë në prioritet. Zhvillimi i këtij sektori të energjisë nuk ka tërhequr investitorë të huaj njësoj siç kanë bërë Serbia apo Mali i Zi.
Rreth 97 për qind e prodhimit vendas vazhdon të jetë prej hidrocentraleve. Zhvillimi i sektorit të energjitikës në burime të tjera nuk favorizohet as nga gjendja e sistemit të transmetimit, i cili ka nevojë për më shumë investime për të mundësuar “lidhjet me prodhuesit e pavarur”.
Shfrytëzimi i energjisë së erës apo dhe diellit, do të kursente më shumë lumenjtë në Shqipëri nga projektet e qindra hidrocentraleve.