Shqipëria shkrumb e hi, ndërsa fondet përdoren për “kozmetikë”

Nga Martin Gjonaj
Shqipëria shkrumb e hi, ndërsa fondet përdoren për “kozmetikë”

Pyjet shkrumb nga zjarret dhe arat hi nga mungesa e ujit për vaditje, -tashmë me oraret e ujit të (pa)pijshëm në çezma u mësuam, ngase nuk është çështje sezonale por e 12 muajve të vitit.

Po pse? Pse kjo situate kaq dramatike? Kur ky vend është aq i begatë në burime natyrore në përgjithësi dhe ndër më të pasurit në Evropë me burime hidrike në veçanti?

E thjeshtë: sepse fondet e buxhetit të shtetit, lekët e taksave tona, përveçse vidhen me tendera e abuzime të lloj-llojshme, ato pak që teprojnë, keqpërdoren.

Ndonjë dyshim se ku kanë përfunduar?

Në sheshe, gurë, beton, fasada, bojëra, palma:

-600 milion Euro kanë kushtuar vetëm fasadat e shesheve të “Rilindjes Urbane” ku funksionet e vetme të tyre janë të luajnë domino pensionistët dhe të konsumojnë kohën të rinjtë e papunë.

-Vetëm kostoja e palmave të mbjella sipas projektit “Rilindja” në autostraden Tiranë-Durrës, ishte 2.4 milion Euro. Por sa kanë kushtuar të gjitha palmat që ka mbjellë Rilindja nëpër rrugët e sheshet e Shqipërisë, të cilat tashmë janë tharë dhe qëndrojne si trungje?!

Ndërkohë vetëm së fundmi Ministria jonë e Ç’bujqësisë paska përllogaritur se kostoja totale e rehabilitimit dhe modernizimit të infrastrukturës së ujitjes për të mundësuar ujitjen në sipërfaqen potencialisht të ujitshme prej 360 000 hektarësh është rreth 253.6 milionë dollarë (215 milionë Euro).

Ja kaq pak është dashur të investohet në bujqësi, në kanale vaditëse, ujëmbledhës, pompa, (madje dhe sahate që të paguhet si shërbim). Kaq pak!

Por paratë kanë ikur, kanë shkuar për aventurat e çmendura të kozmetikës rilindase të mjediseve publike, për sheshe pa jetë, për fasada duke stisur një realitet që nuk egziston, për zbukurime pa sens me palma të anëve të rrugëve nacionale dhe të trotuareve të qyteteve bregdetare. Gjithë këto investime pavlerë i kanë kushtuar jo vetëm shumë shtrenjtë buxhetit të shtetit, por sot kanë sjellë pasoja katastrofike për bujqësinë dhe zhvillimin e mëtejshëm të këtij sektori kaq të rëndësishëm të ekonomisë.

Në shtator-tetor, me shumë mundësi do të ketë nje vale tjetër dyndjeje dhe emigrimi në Evropë, tashme edhe të atyre pak banorëve të ngelur në zonat rurale. Mallkim i madh për një vend ku burimet hidrike janë më të mëdhatë në Ballkan, por keqmenaxhimi dhe abuzimi ekstrem i pushtetit po e shkrumbon këtë vend të bekuar dhe po e boshatis nga shtetasit e tij më vitalë e punëtorë.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>