Pas Francës, shqiptarët renditen ndër të parët për azilkërkues edhe në Irlandë. Në 9 muaj të këtij viti 2,802 kërkesa për azil u regjistruan nga shqiptarë, të cilët kanë lënë pas edhe sirianët.
Kryeministri irlandez, Leo Varadkar tregoi në fundjavë se vendi i tij po haste probleme me fluksin e madh të azilkërkuesve.The Sunday Independent dhe The Irish Times raportuan se këtë vit në Irlandë ka pasur një rritje me mbi 60 për qind të kërkesave për azil dhe nga numri i përgjithshëm shqiptarët dhe gjeorgjianët zënë një total prej 38.1 për qindësh.
Në shifra vetëm për muajin shtator 2019 bëhet fjalë për rreth 3,762 kërkesa, prej të cilave 875 ishin shqiptarë. Për gushtin, 684 nga 3,094 kërkesa ishin nga Shqipëria. Për korrikun 573 nga 2,680 kërkesa dhe kështu me radhë për një total prej 2,802 kërkesa vetëm në 9 muajt e këtij viti.
Sipas Kryeministrit irlandez situata është e vështirë, pasi nuk ka kapacitete pritëse. Aktualisht janë rreth 1,800 azilkërkues të cilët jetojnë në kushte emergjente pritjeje.
Kryeministri Varadkar tregoi se për shqiptarët shumica e azilkërkuesve kishin udhëtuar drejt Irlandës me dokumente falso. Ai tha se Irlanda nuk do të tolerojë emigracionin e paligjshëm dhe se po mendon pezullimin e përkohshëm të kërkesave për azil deri në një moment të dytë kur të jenë zgjeruar kapacitetet pritëse.
Shtypi irlandez ka theksuar faktin se si Shqipëria edhe Gjeorgjia nuk konsiderohen vende në luftë dhe për këtë kërkesat për azil nga këto vende, përgjithësisht, nuk marrin përgjigjie pozitive. Situata theksohet se është shtuar pas liberalizimit të vizave. Në Gjeorgji, deri në fillim të viteve 2000, emigracioni ka qenë kryesisht i orientuar drejt Rusisë.
Gjatë muajit tetor, Franca konsideroi numrin e lartë të azilkërkuesve nga Shqipëria si argument kryesor se përse Shqipërisë nuk i duheshin hapur negociatat. Sipas statistikave në 3 vitet e fundit mbi 20 mijë shqiptarë kanë kërkuar azil në Francë dhe në disa periudha ata renditeshin të dytët – pas gjeorgjianëve – për nga raporti i popullsisë.
Presidenti Macron deklaroi në Bruksel se “nuk mund t’ua shpjegonte dot francezëve se si vendit të dytë që kërkon më shumë azil në Francë po i shkojnë gjërat aq mirë sa t’i hapen negociatat për të hyrë në BE”.