Shteti Serb Vazhdon Lëshimin e Targave ‘KM’ për Mitrovicën e Veriut

Nga Die Morina van Uijtregt
Shteti Serb Vazhdon Lëshimin e Targave ‘KM’ për Mitrovicën e Veriut

Në komunat veriore të Kosovës të cilat janë të banuara me shumicë serbe, vazhdojnë qarkullimin automjetet me targa jo ligjore me akronimin “KM” (Kosovska Mitrovica), të cilat lëshohen nga shteti i Serbisë.

Radio Evropa e Lirë ka raportuar se zyrtarë të Policisë së Kosovës thonë që nuk kanë ndonjë urdhër nga instancat politike të vendit, për të ndaluar qarkullimin e automjeteve me këto targa.

Në bazë të Marrëveshjes së arritur në Bruksel për Lëvizjen e Lirë midis Kosovës dhe Serbisë në vitin 2011, “të gjithë pronarët e automjeteve me vendbanim në Kosovë, do të përdorin targat ‘RKS’ (Kosovë) ose ‘KS’ (Republika e Kosovës)”.

Kjo nënkuptonte që serbët e Kosovës nuk do të përdornin më targa të lëshuara nga Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë.

Pavarësisht kësaj pike të marrëveshjes, targat e lëshuara nga shteti Serb me akronimin e qytetit të Mitrovicës në territorin e Kosovës, kanë vazhduar të përdoren në qytetet veriore të vendit.

Në vitin 2016 është arritur një tjetër marrëveshje në Bruksel, për reciprocitetin e plotë të targava të automjeteve në mes Kosovës dhe Serbisë dhe heqjen nga përdorimi të atyre “prova” të cilat njëanshëm zbatoheshin nga pala Serbe që nga viti 2011.

Me anë të këtij reciprociteti, nuk do të kërkohej që targat e automjeteve nga Kosova të zëvendësoheshin me ato provuese në momentin e futjes në territorin e Serbisë.

Ish Ministrja për Dialog dhe udhëheqësja e palës së Kosovës në bisedimet me Serbinë në kohën e nënshkrimit të Marrëveshjes për Lëvizjen e Lirë, Edita Tahiri fajëson Ministrinë e Punëve të Brendshme për moszbatim të kësaj marrëveshje.

“Ky ka qenë gjithmonë obligim i Ministrisë së Brendshme, e cila ka kompetecë në këtë fushë. Natyrisht që, derisa ju përmendni se këto targa ende mund të gjenden në veri apo me to kalohet kufiri, atëherë këtu kemi të bëjmë me dështimin e Ministrisë së Brendshme të Kosovës, por edhe të autoriteteve kufitare, të cilat kurrsesi nuk duhet të lejonë mundësinë e një qarkullimi të tillë jolegal,” ka thënë Edita Tahiri për Radio Evropa e Lirë.

Ndërkohë ende nuk dihet nëse qeveria e sapo zgjedhur me në krye Albin Kurtin, do ta trajtojë shpejt këtë cështje.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>