Shtirja dhe propaganda në pritjen e Sekretarit Kerry – Koment

Shtirja dhe propaganda në pritjen e Sekretarit Kerry – Koment

Sekretari amerikan i shtetit John Kerry do të vi nesër në Shqipëri për një vizitë tre orëshe.

Mënyra e ardhjes, koha e qëndrimit dhe takimet që ai do të zhvillojë dëshmojnë se John Kerry vjen në Shqipëri për t’i dhënë udhëheqësve politikë të vendit ndonjë mesazh, porosi apo “kërcënim” të rëndësishëm.

Me shumë gjasa, vizita ka të bëjë me kërkesën amerikane për të strehuar në Shqipëri qindra muhaxhedinë iranianë; duke ardhur vetë, Sekretari kërkon të sigurohet që këtë herë, nuk do ndodhë ajo që ndodhi me armët kimike.

Por drejtuesit e lartë të vendit, po e trajtojnë dhe marketojnë vizitën e tij si një vizitë shtetërore, si nder e vlerësim që po i bëhet politikës sonë që konfirmon standartin e saj perëndimor.

Fillimisht, Presidenti Nishani, jashtë çdo rregulli protokollar e logjike, vendosi ta presë Sekretarin Kerry në Aeroportin e Rinasit. Ndoshta ngaqë nuk ishte pjesë e takimeve të Sekretarit të Shtetit, me pritjen në aeroport Presidenti Nishani arriti t’i imponojë Sekretarit Kerry një takim me të. Kështu, Presidenti shpëtoi “nderin” e “rëndësinë” e madhe që ka në punët e vendit. Apo ndoshta arriti kështu të nxjerrë në pah takimin e munguar të Zotit Kerry me Kryeparlamentarin Meta dhe të zbehë rëndësinë e takimit të tij me Kryeministrin Rama.

Po jashtë çdo standarti protokollar e diplomatik, Kryeministri Rama vendosi t’i japë vizitës nivelin protokollar që u rezervohet kryetarëve të shteteve dhe qeverive kur ata vinë në vizitë shtetërore në Shqipëri. Ndër të tjera, në rrugët kryesore të Tiranës janë vendosur flamujt shqiptarë dhe amerikanë, ndërsa Sekretarit Kerry do t’i jepet neë Kryeministri ceremonia formale e pritjes shtetërore që përfshin ekzekutimin e himneve kombëtare dhe parakalimin e nderit.

Nuk ka asnjë gjë të keqe që një miku t’i bëhen respektet e duhura, aq më tepër, në rastin tonë, politikanëve amerikanë. Por teprimi ceremonial që po i bëhet një vizitë të tillë është jo serioz, por edhe i pasinqertë. Ka shenja servilizmi në këtë pritje. Ka përdorim të Sekretarit Kerry për propagandë e kundrapropagandë me qëllim manipulimin e opinionit publik.

Ceremoni të tilla të ekzagjeruara nuk i bën asnjë vend në botë, hiq ndonjë vend të prapambetur apo autokratik afrikan. Udhëheqësit e korruptuar dhe autokratët kërkojnë dhe shkëlqejnë në festime e ceremoni simbolike, të cilat ata i shfrytëzojnë për t’i dhënë vetes kredibilitet dhe imazhin e figurave të respektuara botërore në sytë e popujve të tyre.

Udhëheqësit e ndershëm e serioz perendimorë e kërkojnë lavdinë dhe imazhin e mirë përmes mirëqeverisjes, përgjegjshmërisë e përunjësisë, në rradhë të parë para popullit të tyre e pastaj para partnerëve të huaj.

Por Presidenti dhe Kryeministri ynë e kanë zgjedhur tashmë “lojën” e tyre. Neve na mbetet të presim, të dëgjojmë dhe kënaqemi, me batutat që Kryeministri Rama do t’i thotë Sekretarit Kerry, siç e ka bërë zakon me çdo udhëheqës botëror.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>