Të paktën 11 punëtorë të tjerë në fasonerinë e Krujës janë infektuar me Covid-19, duke e çuar numrin e punonjësve të infektuar në mbi 30.
Në analizat e bëra në 24 orët e fundit, 11 prej tyre kanë rezultuar të prekur, duke e kthyer fasonerinë në vatrën më të rrezikshme të infeksionit në ditët e fundit.
Që prej 17 prillit, në këtë fasoneri janë infektuar dhjetra punonjës dhe më pas, familjarët e tyre.
Dëri tani dihen të paktën 39 persona të infektuar, të lidhur me fasonerinë.
Fasoneria në Krujë, ka qëndruar hapur deri më 15 prill. Në të punojnë kryesisht gra nga Kruja dhe Laçi.
Kurbini deri më 17 prill, nuk kishte asnjë të infektuar. Në raportimin e 20 prill, ISHP lajmëroi se tani në Kurbin ka 19 të infektuar. Kjo shifër pritet të rritet në raportimin e sotëm.
Po ashtu, në Krujë deri më 17 prill, kishte vetëm një vatër familjare me 7 të infektuar, shumica prej tyre të shëruar. Tani në Krujë ka më shumë se 30 të infektuar, të gjithë raste të lidhura me fasonerinë.