Lëvizja Vetëvendosje (LVV) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) nuk mundën të arrinin as sot marrëveshje për qeverinë duke i shtyrë bisedimet për ditën e nesërme.
Pas rreth 3 orësh bisedime mes përfaqësuesve të dy partive që morën më shumë vota në zgjedhjet e 6 tetorit, sërish Kosova mbeti pa qeveri të dakordësuar.
Glauk Konjufca nga LVV dhe Avdullah Hoti nga LDK folën për mediat pas takimit duke thënë se ka pasur përparime, por që gjithçka do të ridiskutohej në takimin e radhës.
Konstituimi i parlamentit është caktuar nga Presidenti Thaçi të jetë më 26 dhjetor ora 15:00. Dy përfaqësuesit e LVV dhe LDK shfaqën rezerva për mënyrën se si u shty data e konstituimit nga 24 dhjetori më 26 dhjetor, por ata siguruan se ka kohë mjaftueshëm për të arritur një marrëveshje të mundshme qeverisëse deri në atë datë.