Shtyhet me dy orë orari i lejuar i lëvizjes, hapen fluturimet me Britaninë e Madhe

Nga Exit News
Shtyhet me dy orë orari i lejuar i lëvizjes, hapen fluturimet me Britaninë e Madhe

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ka njoftuar se kanë ndryshuar një pjesë masave anti-COVID në vend.

Gjatë një konference me Komitetin Teknik të ekspertëve, ministrja tha orari i lejuar i lëvizjes nuk do të jetë më ora 20:00 por ora 22:00. Qarkullimi do të ndalohet deri në orën 6:00.

Gjithashtu ministrja njoftoi se do të zgjatet me dy orë edhe orari i aktivitetit të bareve dhe restoranteve.

Komiteti i ekspertëve ka vlerësuar gjithashtu, sipas ministres, që të lejojë hapjen e fluturimeve me Mbretërinë e Bashkuar.

Ora e re policore do të hyjë në fuqi që nga dita e hënë (12 prill).

Duke bërë me dije se lehtësimet po vijnë si rezultat i situatës po edhe të muajit të shenjtë të Ramazanit, Manastirliu u ka bërë apel qytetarëve të vijojnë zbatimin e masave antiCOVID.

Sipas ministres, gjatë javëve të fundit ka rënë deri në 12% shkalla e infektueshmërisë në vend.

“Rënia shënohet edhe në shtrimet në spitale. Prej 4 ditësh nuk ka pacientë në Spitalin COVID 4, i cili do vijojë të jetë në gatishmëri”, shtoi ministrja.

Aktualisht janë të zënë 30% e shtretërve në spitalet COVID dhe 13% e njësive të terapisë intensive.

Vendimet e Komitetit Teknik të Ekspertëve do të jenë në fuqi për dy javët e ardhshme.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>