
Gjykata e Posaçme e Apelit ka shtyrë për në 28 prill seancën e gjykimit për ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri e ish-drejtorit të Policisë Vlorë Jaeld Çela, për shkak të mungesës së të pandehurve dhe avokatëve
Në seancën e parë, zhvilluar më 9 prill, trupa gjykuese ka bërë vetëm çeljen e procesit dhe ka vendosur shtyrjen e saj.
Në seancë morën pjesë vetëm dy prokurorët e çështjes dhe trupa gjykuese me 3 anëtarë: Albana Boksi, Nertina Kosova dhe Nure Dreni.
Më 20 shtator 2019, ish-ministri Tahiri u shpall fajtor nga Gjykata e Krimeve të Rënda për shpërdorim detyre, ndërkohë akuzat për bashkëpunimin dhe trafik droge me bandën e Habilajve u rrëzuan.
Ai u dënua me 5 vite burg, të ulura në 3,4 vite shërbim prove.
Ky vendim u apelua si nga prokuroria e cila kishte këruar 12 vite burg, ashtu dhe nga ish-ministri i cili kërkon pafajësinë.
Vendimi u cilësua nga Ambasada Amerikane si shkurajues.
Ish-ministri ka kontraktuar një kompani amerikane për të lobuar SHBA për të tërhequr deklaratat publike të personelit të ambasadës në Shqipëri, me pretendimin se ato mund të kenë ndikuar vendimin e autoriteteve.