Seanca gjyqësore ndaj 2 prej 4 të pandehurve të dosjes 184 u shty sërish të enjten, për shkak të mungesës së avokatëve të të pandehurve.
Dosjen 184 njihet ndryshe si dosja e vjedhjes së votave në zgjedhjet e 2016-ës në Dibër.
Bëhet fjalë për procesin ndaj ish-drejtorit të Zyrës Arsimore Dibër, Drini Gjeci dhe ish-Administratorit të njësisë adminstrative të Tominit,Nuri Meda, që akuzohen për shpërdorim detyre dhe kanosje të zgjedhësve.
Shpërdorimi detyrës sipas nenit 248 ka një marzh dënimi deri në 7 vite ndërsa kanosja e zgjedhësve nga një vit deri në katër sipas nenit 329 të kodit penal.
Kjo është shtyrja e dytë brenda muajit, pas asaj të datës 8 korrik, po prapë për mungesë të avokatëve të të akuzuarve.
Ndërkohë, për dy të pandehurit e tjerë, Hasan Hoti, zyrtar në njësinë administrative Lurë dhe Robert Aga, ish-shef komisariati në Dibër, seanca do të zhvillohet të hënën, më 26 korrik.
Prokuroria ka kërkuar pushimin e çështjes Dionis Imeraj, Imer Lala, Arben Keshi, Bekim Krashi, Afrim Mikli, me argumentin se për këta persona është parashkruar vepra penale e shitblerjes së votave pasi kanë kaluar 3 vite.
Në shtator 2019, Prokuroria e Krimeve të Rënda kaloi hetimet për “Dosjen 184” në prokurorinë e Dibrës. Ky kalim u bë në shkelje të ligjit.
Në janar 2020, SPAK konfirmoi vendimin dhe nuk pranoi të merrte çështjen për shqyrtim.
Megjithëse dosja 184 përfshin përgjime të ish-Ministrave Tahiri, Gjiknuri dhe deputetë socialistë në biseda me policë, biznesmenë dhe persona të dyshimtë të cilët angazhohen për të siguruar vota në mënyra të paligjshme për zgjedhjet në Dibër, – SPAK nuk pranoi ta shqyrtojë atë. (Kliko këtu për t’i dëgjuar përgjimet.)