Emiljano Shullazi, sot pak orë përpara fillimit të seancës të radhës, u dërgua në spitalin privat Amerikan për një vizitë mjekësore. Fotot më poshtë tregojnë forcat Shqiponja gjatë shoqërimit të Shullazit në Spitalin Amerikan.
Nuk dihen arsyet pse Drejtoria e Burgjeve ka zgjedhur spitalin privat për të dërguar të burgosurin Emiljano Shullazi. Si dhe nuk bëhet e ditur kush do të paguajë për qendrimin e të burgosurit në këtë spital, qeveria apo vetë i dënuari.
Nga mediat bëhet e ditur se përpara një jave ai është operuar në spitalin e burgut, fakt për të cilin ende nuk janë dhënë detaje.
Emiljano Shullazi u arrestua më 16 prill, pas denoncimit publik të ish-Kryeministrit Berisha se ai kishte kërcënuar kandidatin për rektor të Universitetit të Tiranës Mynyr Koni të tërhiqet nga gara.
Pas arrestimit, u bë e ditur se prokuroria kishte disa muaj që hetonte Emiljano Shullazin, pa dijeninë e policisë. Mbi bazën e këtyre hetimeve, Prokuroria e akuzon atë se ka marrë, me anë të kërcënimeve, pronësinë e ish-hotel Vollgës në qendër të Durrësit, si dhe ka shkatërruar me eksploziv pronën e një qytetari tjetër, i cili nuk ka pranuar t’i kalojë Shullazit pronësinë e një parkingu 1200 metrash katrorë.
Gjithashtu, disa media bënë të ditur se Shërbimi Informativ i Shtetit ka informacione që Shullazi ka gjobitur me anë të kërcënimit edhe katër biznesmenë të tjerë, të cilët nuk kanë bërë denoncim në polici, por kanë paguar gjobën.
Ndërkohë, ministri Tahiri deklaroi se për këtë çëshje do të zbatohet ligji dhe do të vendosë drejtësia.