Shumica socialiste pritet të miratojë ligjin ‘special’ për shembjen e Teatrit Kombëtar në seancën e parë të sesionit të ri parlamentar, që pritet të mbahet më 3 shtator.
Edhe pse ende nuk ka një njoftim zyrtar për nisjen e sesionit të ri parlamentar, burime për Panoramën shprehen se shumica socialiste ka vendosur që këtë vit parlamenti të nisë punimet më herët, me qëllim për të miratuar sa më shpejt ligjin e Teatrit Kombëtar dhe për t’i hapur rrugë shëmbjes së tij.
Kujtojmë se ligji special i teatrit të ri u miratua në Kuvend vetëm me votat e mazhorancës më 5 korrik. Ligji e kalon tokën publike të Teatrit Kombëtar tek kompania private Fusha shpk, për ndërtimin e teatrit të ri dhe ndërtimin e 6 kullave rreth tij.
Presidenti Meta nuk e dekretoi ligjin dhe e riktheu atë në Kuvend më 27 korrik duke argumentuar se ligji nuk është në përputhje me parimet kushtetuese dhe aktet ndërkombëtare ku Republika e Shqipërisë aderon apo që ka ratifikuar.
Ndërkohë edhe Komisioni Evropian ka kërkuar sqarime për këtë ligj special, duke qenë se siç kemi shpjeguar dhe më parë, ligji special bie ndesh direkt me detyrimet që ka Shqipëria në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA), që përbën kuadrin rregullues ndërmjet vendit tonë dhe BE-së.