Kryeministri Edi Rama i kërkoi sot banorëve të Unazës së Re të mos protestojnë më, të heqin dorë nga kërkesat e tyre për dëmshpërblim të plotë, pasi kjo kërkesë nuk është e drejte, dhe t’i hapin rrugë zhvillimit. Me nje gjuhë akuzuese, sot gjatë një takimi në kryeministri për platformën e bashkëqeverisjes, Rama u shpreh:
“Individë që në këto vite vetëm kanë ndërtuar pa leje dhe kanë krijuar pasuri pa leje dhe sot kërcënojnë se sot duan dëmshpërblim 100% nga taksat e qytetarëve.
Nga ky buxhet duhet të marrin para për të dëmshpërblyer zabtuesit profesionistë, me nga 5 deri në 8 vila e biznese të ndërtuar gjatë viteve e rrumpallës së madhe?! Kjo është e papranueshmë dhe kjo nuk gëlltitet dhe nuk tretet në asnjë mënyrë.
Kështu që ata njerëz të largohen nga rruga që kanë bllokuar dhe t’i hapin rrugë zhvillimit.”
Ndërkohë gjatë fushatës elektorale, Kryeministri Rama në një takim me banorët e zonës së Astirit, shprehej se shtëpitë nuk do të prisheshin dhe me dhembshuri shprehej se ato janë investime të bërë “me kursime me gjak”:
“Kjo çështje është njësoj si gjithë të tjerët. Ne e kemi marrë angazhimin do të bëjmë një proces serioz, ta mbyllim këtë histori se nuk është puna e legalizimit në kuptimin që mos të prishet shtëpia. Se shtëpitë nuk prishen gjithsesi. Puna është që ato janë kapitale të vdekura. Se janë investime të bërë me kursime me gjak.”