Kryeministri Rama ka ofenduar para dy ditësh me mijëra qytetarë duke përçmuar origjinën e tyre krahinore. Edhe pse u kritikua ashpër për këtë gjë, ai nuk ka kërkuar falje e madje nuk ka reaguar fare.
Është sjellje që nuk ka asgjë të përbashkët me politikanët e vendeve perëndimore. Se si mund të kishte reaguar ndonjë politikan europian në vend të tij (edhe pse është e vështirë të mendohet që një politikan i tillë mund të artikulonte ndonjë gjë të ngjashme) ilustrohet nga shembulli i ish-Kryeministrit britanik Gordon Brown.
Në vitin 2010, gjatë një ecje në rrugë, kryeminstrit Brown i del përpara një grua e cila fillon e pyet dhe i kërkon llogari në mënyrë tendencioze dhe të acaruar duke e vënë në vështirësi Kryeministrin.
Duke u larguar prej saj, pa vënë re që një gazetar po e ndiqte nga mbrapa me mikrofonin e ndezur, kryeministri i drejtohet dikujt nga stafi i tij me fjalët:
“Ishte katastrofë… nuk duhet të ma kishit vënë përballë atë grua. Ajo ishte një tip fanatike.”
Mbasi e kuptoi çfarë kishte ndodhur, Kryeministri Brown bëri menjëherë një deklaratë publike ku shprehu keqardhjen dhe kërkoi ndjesë publike për sjelljen e tij. Pastaj ai e telefonoi personalisht gruan në fjalë dhe i kërkoi falje. Të nesërmen, e vizitoi në shtëpi dhe bisedoi me të rreth 40 minuta.
Duke dalë nga shtëpia e zonjës, i rrethuar nga gazetarët që kishin marrë vesh për vizitën, ai u shpreh:
“Jam i turpëruar nga ajo që ndodhi. I përcolla asaj ndjesën time të sinqertë. Ajo e pranoi ndjesën time.
Jam mëkatar i penduar. Ndonjëherë bëhen gabime dhe përdoren fjalë të gabuara dhe pasi janë përdorur ato fjalë, dhe është bërë gabimi, duhet t’i tërheqësh ato dhe të kërkosh thellësisht ndjesë. Unë e bërë këtë.”