Në një shkrim të mëparshëm në Exit News treguam se si munden qytetarët të kontaktojnë me autoritetet për të raportuar dëmet në banesat e tyre. Në këtë shkrim të radhës tregojmë se çfarë procedurash duhet të ndjekin për të përfituar mbulim të strehimit me qira.
Si fillim theksojmë se raportimi është shumë i rëndësishëm. Ekspertët e Institutit të Ndërtimit duhet të lëshojnë akt-konstatim të gjendjes së banesës, apo shtëpisë. Pa akt-konstatim të gjendjes së banesës, qytetarët nuk mund të shërbehen përtej strehimit të përkohshëm në qendrat sociale, apo çadra.
Bashkia Tiranë ofron mbulim të qirasë për të paktën 1 vit. Për të dëmtuarit nga tërmeti, i ashtuquajturi “bonus i qirasë”, përfitohet duke pasur si fillim një akt-konstatim të gjendjes së banesës. Përveç akt-konstatimit, duhet certifikatë familjare dhe llogari bankare. Duke dorëzuar këto të dhëna plotësohet një formular ku vetëdeklarohet sa ishte sipërfaqja e shtëpisë së dëmtuar. Për shembull: apartament me dy dhoma e një kuzhinë.
Përmes këtij vetëdeklarimi parashikohet edhe shuma që do të mbulohet për qira sipas çmimeve të referencës së zonës ku ndodhet shtëpia e dëmtuar. Pra nëse shtëpia e dëmtuar është në Kombinat, çmimi i qirasë do të merret për qira sipas zonës së Kombinatit.
Pas plotësimit të formularit, familjarët duhet ta gjejnë vetë shtëpitë me qira dhe më pas t’ia raportojnë kontratën Bashkisë, e cila merr përsipër pagesën për së paku 1 vit.
Pas tërmetit të 26 nëntorit, Tirana ka dhjetëra pallate dhe shtëpi të dëmtuara. Nga 24 njësitë e saj administrative, Njësia 4 që përfshin zonat e Alliasit dhe Kinostudios dhe Njësia 6, Kombinatin, janë ndër zonat më të prekura.