Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim kërkojnë mënjanimin e Kuvendit në procesin e zgjedhjes së antarëve të strukturës së re të Komisionit Qendror të Zgjedhejve.
Sipas formulës së propozuar nga PD dhe LSI, është Avokati i Popullit ai që shpall, mbledh dhe vlerëson kandidaturat për të tre shkallët e KQZ-së në dy lista.
Një listë me kandidatët që plotësojnë kushtet për të qënë anëtar i KQZ-së dhe një listë me kandidatët që nuk i plotësojnë këto kushte.
Më pas, një komision Ad Hoc me 3 përfaqësues nga mazhoranca dhe 2 nga opozita do të shqyrtojë të dyja listat. Ata do të kenë të drejtë që me 4 vota të kalojnë kandidatët nga lista e atyre që nuk plotësojnë kushtet, tek lista e kandidatëve që i plotësojnë ato.
Pas përfundimit të listës me kandidatët që plotësojnë kriteret për të qënë anëtar, komisioni Ad Hoc zgjedh anëtarët për të tre shkallët e KQZ-së si më poshtë:
a) Nga lista e kandidatëve për Komisioner, komisioni Ad Hoc zgjedh me shumicë votash katër kandidatë. Më pas, dy anëtarët e opozitës përjashtojnë secili nga një prej këtyre katër kandidatëve. Në fund, Komisioneri zgjidhet me shumicë votash nga dy kandidatët e mbetur.
b) Nga lista e kandidatëve për Zëvendëskomisioner, dy anëtarët e opozitës në komisionin Ad Hoc përzgjedhin nga një kandidat. Më pas komisioni zgjedh me shumicë votash njërin prej tyre.
c) Për kandidatët për Komisionin Rregullator, çdo anëtar i Komisionit Ad Hoc zgjedh një kandidat nga lista e atyre që plotësojnë kriteret.
d) Nga lista e kandidatëve që kanë aplikuar për Komisionin e Apelimit dhe Sanksioneve, secili anëtar i Komisionit Ad Hoc ka të drejtën të zgjedh një anëtar.
Lista me anëtarët e përzgjedhur nga Komisioni Ad Hoc i kalon Kuvendit për votim në Komisionin e Ligjeve dhe më pas në seancën plenare.