Ministria e Energjisë dhe Industrisë lajmëroi dhënien me koncesion 35 vjeçar të ndërtimit të hidrocentralit të Poçemit në Luginën e Vjosës.
Koncesionari është një bashkim i dy kompanive turke pa përvojë në fushën e energjisë dhe me kapacitete modeste.
Ky vendim është marrë përkundër kundërshtive dhe kritikave të forta publike për shkak të ndikimit negativ që ndërtimi i hidrocentralit do të ketë në Luginën e Vjosës, një nga pasuritë më të mëdha natyrore të vendit.
Më poshtë po japim në mënyrë kronologjike rrjedhjen e ngjarjeve deri në këtë vendim të fundit të qeverisë Rama.
- Në vitin 2013, Kryeministri Berisha vendosi që në luginën e Lumit Vjosa të ndërtohen një sërë hidrocentralesh, mes të cilëve ai i Poçemit.
- Ky vendim ngjalli kritika të menjëhershme duke qenë se lugina e Vjosës konsiderohet një pasuri e rëndësishme natyrore dhe kulturore e vendit, e cila do të shkatërrohej nga ndërtimi i hidrocentraleve.
- Zoti Edi Rama, në atë kohë kreu i opozitës, i kundërshtoi me forcë planet e qeverisë Berisha.
- Komisioni Evropian, në raportin për Shqipërinë të vitit 2013, shprehu hapur kundërshtitë për ndërtimin e hidrocentrale në Luginën e Vjosës dhe rekomandoi kthimin e luginës në një park të madh natyror.
- Humbja e zgjedhjeve nga Zoti Berisha ndaloi përkohësisht zbatimin e planeve të qeverisë së tij për ndërtimin e hidrocentraleve.
- Gjatë fushatës për zgjedhjet lokale 2015, Kryeministri Rama deklaroi në Tepelenë se “do të transformonte luginën e Vjosës në një park kombëtar, nuk do të lejonte shkatërrimin e saj nga hidrocentralet dhe do të zhvillonte turizmin dhe bujqësinë në parkun e madh të Vjosës.”
- Një muaj më vonë, pas përfundimit të zgjedhjeve lokale, Këshilli i Ministrave miratoi pranimin e një kërkese të pa kërkuar nga një firmë turke, Çinar-San Hafriyat Nakliyat Inşaat Turizm San Ve Tic Ltd.Şti, për të marrë me koncesion ndërtimin dhe shfrytëzimin e hidrocentralit të Poçemit.
- Kompania Çinar është një kompani e vogël turke me përvojë vetëm në gërmime dheu dhe transporte inertesh dhe pa asnjë asnjë përvojë në fushën e ndërtimit dhe menaxhimit të hidrocentraleve, apo të energjisë në përgjithësi.
- Vendimi i Këshillit të Ministrave për fillimin e procedurave për ndërtimin e hidrocentralit ngjalli reagime nga qytetarët e grupet mjedisore, të cilët protestuan kundër qeverisë duke kërkuar anullimin e çdo plani ndërtimor në Luginën e Vjosës.
- Pavarësisht, reagimeve publike qeveria vendosi vazhdimin e planeve të saj. Në shkurt 2016, Agjencia e Prokurimit Publik shpalli garën për ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit me koncesion 35 vjeçar, duke i dhënë kompanisë Çinar një bonus prej 8 përqind të pikëve.
- Në garë u prezantua vetëm Çinar në konsorcoum me kompaninë Ayen Enerji Anonim Şirketi —kompani e mesme me aktivitet në fushën e energjisë në Turqi.
- Në prill 2016, Parlamenti Evropian, në rezolutën për Shqipërinë, i kërkonte sërish qeverisë të tërhiqej nga planet për hidrocentrale në Luginën e Vjosës dhe të investonte për ta kthyer luginën në një park të mbrojtur kombëtar.
- Ekspertët e mjedisit pranë Parlamentit Evropian deklaruan se ndërtimet e hidrocentraleve në lumin e Vjosës, nëse do të bëhen, janë të paligjshme. Qeveria nuk ka bërë studimet dhe vlerësimet e thelluara të ndikimit në mjedis siç parashikohet në ligj, si dhe nuk ka përfshirë qytetarët në procesin e vendimmarrjes të parashikuar në konventat ndërkombëtare.
- Më datë 3 maj 2016, Ministria e Energjisë dhe Industrisë lajmëroi se fituesi për marrjen me koncesion 35 vjeçar të hidrocentralit të Poçemit është bashkimi i dy kompanive turke.
- Përfitimet ekonomike apo sociale të projektit nuk janë bërë asnjëherë publike nga qeveria, pasi çdo procedurë është bërë në mënyrë jotransparente.
Artikuj të bashkëlidhur:
Kryeministri përqafon “barbarizmin” që u betua se do luftonte
Parlamenti Europian kundër ndërtimit të hidrocentraleve në Vjosë