Vetëm 6 pacientë të rinj me Covid-19 janë identifikuar në 24 orët e fundit, duke shënuar ditën me më pak pacientë të rinj që prej 21 marsit.
Ulja është e ndjeshme, veçanërisht me të dhënat e javës së fundit, ku çdo ditë ka pasur 16-29 raste të reja.
ISHP njoftoi sot se në 24 orë janë bërë 182 teste dhe vetëm 6 kanë dalë positive.
Shpërndarja e tyre është:
- 4 në Tiranë, duke e çuar totalin e të prekurve në 181,
- 1 në Elbasan, duke e çuar totalin e të prekurve në 11,
- 1 në Korçë, duke e çuar totalin e të prekurve në 17.
Elbasan
I infektuari i ri është një 46-vjeçar, pronar i një restoranti në Elbasan. Ai është në gjendje të rënduar shëndetësore dhe është në spitalin Covid-2, në Sanatorium.
Dyshohet se ai ka lidhje me pacientin e 10 të infektuar në Elbasan, një kasap. Kjo vatër në Elbasan, po shikohet me kujdes nga epidemiologët, pasi dyshohet se shumica prej të infektuarve në Elbasan kanë vizituar restorantin.
Korçë
I infektuari i ri është punonjës në Drejtorinë e Kufirit. Ai dyshohet se është infektuar nga një koleg, i prekur me Covid-19 dhe identifikuar nga ISHP një javë më parë.
Ky është rasti i parë në Korçë prej një jave. Por duket se periudha e gjatë e inkubimit të Covid-19 ka bërë që zinxhiri i infeksionit në Korçë të mos jetë shkëputur.
Tiranë
Për të infektuarit e rinj në Tiranë ende nuk ka informacion dhe nuk dihet nëse janë kontakte të rasteve të mëparshëm apo janë vatër e re.