17 pacientë të rinj me Covid-19 janë identifikuar në 24 orët e fundit, mes 236 personave të testuar.
Krahasuar me një ditë më parë, është rritur me 11 persona, numri i të infektuarve të rinj. Por krahasuar me të dhënat e javës së kaluar, kur numri i të infektuarve të rinj arriti në 29 për ditë, duket se kemi një ulje të kurbës.
Shpërndarja e tyre është:
- 9 në Tiranë, duke e çuar totalin e të prekurve në 190,
- 6 në Fier, duke e çuar totalin e të prekurve në 32,
- 1 në Elbasan, duke e çuar totalin e të prekurve në 12,
- 1 në Shkodër, duke e çuar totalin e të prekurve në 45.
Elbasan
E infektuara e re është një grua 40-vjeçare. Ajo është bashkëshortja e pronarit të restorantit, 46-vjeçarit, me t cilin kanë pasur kontakte dhe shumë pacientë të tjerë me Covid-19 në Elbasan.
Sipas ISHP-së, pjesa dërrmuese e rasteve me koronavirus në Elbasan janë infektuar në këtë restorant. Pronari e ka mbajtur hapur restorantin deri të premten, 4 prill, në shkelje të urdhrit për mbyllje.
Të shtunën më 5 prill, ai ka pasur simptoma të rënda dhe është dërguar në spital, ku dhe është zbuluar se është i prekur me Covid-19.
Në restorant janë infektuar të paktën 3 persona të cilët më pas kanë infektuar të paktën 11 të tjerë:
- një kasap, i cili infektoi bashkëshorten e tij,
- një burrë 62 vjeç i cili infektoi dhe 2 djemtë e tij,
- një burrë 50 vjeç që më pas infektoi bashkëshorten që punonte në bankë dhe dy vajzat.
Fier
Duket se ka një vatër të re infektimi në Fier. 6 pjestarë të një familjeje në lagjen Çeligrad, kanë shfaqur në të njëjtën periudhë simptoma dhe kanë shkuar në urgjencë.
Deri tani nuk dihet ende se si janë infektuar pjestarët e familjes. Në dijeni e tyre ata nuk kanë pasur kontakte me pacientë të mëparshëm dhe nuk kanë histori udhëtimi me Italinë.
Për të infektuarit e rinj në Tiranë e Shkodër nuk ka ende informacione nëse janë kontakte të pacientëve të mëparshëm apo nëse ka vatra të reja infeksioni.