25 të infektuar të rinj me Covid-19 u zbuluan në 24 orët e fundit, 18 prej të cilëve në Krujë, ku vazhdojnë infektimet mes punonjësve të fasonerive.
Të infektuarit e 24 orëve të fundit janë:
- 18 në Krujë, duke e çuar totalin në 58,
- 1 në Kurbin, duke e çuar totalin në 28,
- 2 në Elbasan, duke e çuar totalin në 18,
- 1 në Shkodër, duke e çuar totalin në 100,
- 3 në Tiranë, duke e çuar totalin në 256.
Kruja dhe Kurbini
19 të infektuarit e rinj në Krujë e Kurbin janë punonjës të dy fasonerive që tashmë janë bërë vatra të rrezikshme të koronavirusit, dhe familjarë të tyre.
Dy fasoneritë në Krujë të cilat kanë lidhje më njëra-tjetrën, kanë qëndruar hapur deri më 15 prill. Në to punojnë kryesisht gra nga Kruja dhe Laçi, të cilat transportohen për në punë nga furgonat e kompanisë.
Transporti dhe puna duke mos zbatuar masat e distancimit fizik kanë bërë që Covid-19 të përhapet shpejt mes punonjësve, të cilët më pas ia kanë transmetuar familjarëve të tyre.
Elbasan
Dy të infektuarit e rinj në Elbasan janë çift bashkëshortësh, 62 dhe 60 vjeç.
Ata janë banorë në lagjen 5-Maji, ku ka dhe të tjerë të infektuar. Bashkëshorti, 62 vjeç, është shofer në një fasoneri në Elbasan.
Nuk dihet ende nëse fasoneria ka vazhduar punën këto javë dhe nëse 62-vjeçari ka pasur kontakte me punonjës të tjerë.