29 persona të rinj me Covid-19 u identifikuan 24 orët e fundit, duke shënuar kështu ditën me më shumë të prekur që nga 9 marsi, kur u identifikuan të prekurit e parë me koronavirus në vend.
Në ditët e fundit, është shënuar një dyfishim i numrit të të infektuarve kurbës krahasuar me ditët e fundit të marsit kur u identifikuan 11-15 të infektuar të rinj në ditë.
11 prej të infektuarve të rinj janë në Tiranë, ndërsa 9 janë në Shkodër.
Për rastet e Shkodrës dihet se janë pjestarë të dy familjeve nga Kirasi dhe Dobraçi, ku dje janë identifikuar 12 të prekur të tjerë me Covid-19. Në total në këto 2 familje numri i të prekurve është 21, mes tyre dhe një fëmijë 13-vjeçar.
Të prekurit në 24 orët e fundit janë në këto qytete:
- 11 në Tiranë, duke e çuar totalin në 157,
- 9 në Shkodër, duke e çuar totalin në 31
- 3 në Lezhë, duke e çuar totalin në 14,
- 2 në Rrogozhinë, duke e çuar totalin në 4,
- 1 në Durrës, duke e çuar totalin në 33,
- 1 në Lushnje, duke e çuar totalin në 5,
- 1 në Has, duke e çuar totalin në 9,
- 1 në Elbasan, duke e çuar totalin në 9.
Në Rrogozhinë, 2 të infektuarit e rinj janë drejtori dhe një specialist i burgut të Rrogozhinës. Ata u infektuan nga juristi i burgut, i cili jeton në Tiranë.
Në total nga 333 raste me Covid-19 në vend, 18 kanë ndërruar jetë dhe 99 janë shëruar, duke e lënë totalin e rasteve aktive në 216.
Mosha mesatare e pacientëve është 50 vjeç.