16 pacientë me Covid-19 u zbuluan në 24 orët e fundit, duke shënuar një rënie krahasuar me 4 ditët e fundit, kur u shënuar deri në 29 të infektuar të rinj në ditë.
6 prej tyre janë në Shkodër, qyteti që ditët e fundit është vatra më e nxehtë e të infektuarve në vend.
Zëvendësministrja Rakacolli theksoi gjatë raportimit të 6 prillit, se shkak për zgjerimin e rasteve në Tiranë, Has dhe Shkodër është mos respektimi i distancimit social.
Të prekurit në 24 orët e fundit janë në këto qytete:
- 3 në Tiranë, duke e çuar totalin në 177,
- 6 në Shkodër, duke e çuar totalin në 44,
- 3 në Has, duke e çuar totalin në 12,
- 2 në Durrës, duke e çuar totalin në 28,
- 1 në Fier, duke e çuar totalin në 26,
- 1 në Berat, duke e çuar totalin në 2.
Shkodra
3 prej 6 të infektuarve janë familjarë të dy familjeve në Kiras dhe Dobraç, dy vatra të cilat u zbuluan më 3 prill.
Ndërsa 3 të tjerë janë dy të afërm të të moshuarës 80-vjeçare nga Shkodra e cila humbi jetën 2 ditë më parë dhe infermieri që i shërbente asaj.
Deri më 3 prill, në Shkodër kishte vetëm 10 të prekur, por brenda 3 ditëve numri është katërfishuar dhe ka shkuar në 44.
Durrës
2 të infektuarit e rinj janë burrë e grua, 37 e 39 vjeç. Ata jetojnë në të njëjtin pallat me 77-vjeçarin që ndërroi jetë disa ditë më parë nga koronavirusi.
Bashkë me 2 pacientët e rinj, shkon në 5 numri i personave të infektuar në të njëjtin pallat.
Fier
Pacientja e re është një mësuese e cila banon në të njëjtin pallat me 2 të moshuar, të cilët u identifikuan me Covid-19 më 3 prill.
Mësuesja jeton bashkë me prindërit e moshuar, të cilët janë në pritje të rezultateve të testeve.
Në total nga 377 raste me Covid-19 në vend, 21 kanë ndërruar jetë dhe 116 janë shëruar, duke e lënë totalin e rasteve aktive në 240.
Mosha mesatare e pacientëve është 50 vjeç.