Sigurimi nga tërmetet: zhvatje me mashtrim e popullit për klientët

Nga Ilmi Rehova
Sigurimi nga tërmetet: zhvatje me mashtrim e popullit për klientët

Sektori i sigurimeve në Shqipëri kontrollohet nga 11 kompani, ndër to dy me pronësi austriake dhe 9 të tjera në pronësi të afaristëve të fuqishëm vendas.

Tregu është në gjendje të asfiksuar—vëllimi tërësor i sigurimeve të paguara në vitin 2015 ishte rreth 90 milionë euro, treg relativisht i vogël në krahasim me ekonominë. Arsyeja eshtë se kompanitë, kur vjen momenti për të paguar dëmet, gjejnë të gjitha mënyrat për të shmangur pagesat—kjo falë edhe gjykatave dhe “ekspertizës” që anojnë më së shumti nga ana e tyre—ndaj pak qytetarë u drejtohen kompanive të sigurimit, nëse nuk detyrohen nga ligji apo ndonjë kontratë.

Në mungesë të sigurimeve vullnetare, fitimet e sektorit mbahen nga sigurimet e detyrueshme. Më i rëndësishmi mes tyre është sigurimi TPL i automjeteve—siguracioni i detyrueshëm i cili mbulon përgjegjësitë civile të drejtuesit të mjetit, pra për të paguar dëmet materiale ose shëndetësore të shkaktuara ndaj palëve të treta—por që cilën nuk e paguajnë të gjithë. Pas tij vjen sigurimi i pronës nga rreziqet, si zjarri, tërmeti, rrufeja, etj, i cili kërkohet nga bankat për të gjitha pasuritë e përdorura si peng sigurie për të marrë kredi.

Kompanitë vendase të sigurimit janë të detyruara me ligj të vetësigurohen në kompani të huaja të specializuara, me qëllim për të shmangur pasojat e rasteve të dëmeve shumë të madha, që do t’i çonte kompanitë në falimentim për shkak të mos pasjes mundësi të paguajë dëme të mëdha të njëkohshme. Por ky detyrim i tyre pjesërisht anashkalohet falë autoritetit shtetërore të mbikqyrjes të cilat u shërbejnë interesave të bizneseve dhe jo konsumatorëve.

Sikur të mos mjaftonin këto tolerime ndaj opertatorëve në treg, qeveria po përgatit një “dhuratë” për ta për të rritur fitimet e tyre: sigurimin e detyrueshëm nga fatkeqësitë natyrore për çdo ndërtesë në vend.

Në fund të vitit 2013, një projekt i përbashkët i Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore përgatiti një raportpër sektorin e sigurimeve dhe ofroi tetë rekomandime, nga të cilat janë vënë në zbatim vetëm ato që nuk prekin të ardhurat e kompanive.

Duhet thënë se së pari, sikurse është shprehur qartësisht në hyrje të raportit, “dokumenti nuk reflekton domosdoshmërisht vizionin e Bankës ose të qeverive që Banka përfaqëson.” Kjo do të thotë se dokumenti nuk është dokument i politikave zyrtare të Bankës Botërore, që, edhe nëse, do të ishte përsëri do të kishte vlerë këshillimore dhe jo të detyrueshme. Shitja nga qeveria e zbatimit të rekomandimeve të raportit si detyrim nga Banka Botërore është manipulim i opinionit publik.

Por ajo që është më shqetësuese është se edhe vetë rekomandimet e dokumentit janë ndryshuar nga lobistët e kompanive të sigurimit—çuditërisht, me stil të ndryshëm shkrimi dhe me mospërputhje llogjike, në material është futur një “rekomandim” i bashkuar me dy nënrekomandime të tjera, ku përcaktohet sigurimi i pronës nga rreziqet natyrore.

Në këto nënrekomandime këshillohet të shtohen “të dhënat siguruese” për shërbime të ndryshme profesionale dhe të hiqet TVSH-ja të paktën për sigurimet jo të detyrueshme. Në fund të shkresës propozohet, me detaje specifike, një skemë për sigurimin e detyrueshëm të shtëpive private nga rreziqet natyrore, duke arsyetuar se detyrimi do të mundësojë risigurimin e vetë kompanive të sigurimit me kushte të favorshme financiare.

Në të vertetë, raporti ka këshilluar zbatimin e një projekti për nxitjen e sigurimit të pronës ndaj tërmetit, me qëllim lehtësimin e ndikimit të pasojave të një tërmeti të mundshëm mbi kompanitë e sigurimeve. Për këtë qëllim Banka Botërore ka nisur, tashmë, një projekt në Europën Juglindore për këtë qëllim.

Projekti “Europa Re”, i cili parashikon risigurimin e plotë të kompanive lokale—domethënë, një pjesë e shumës së primit të sigurimit të detyrueshëm të pronës ndaj rreziqeve i shkojnë kompanisë risiguruese Europa Re të themeluar në Zvicër dhe në pronësi të vendeve pjesëmarrëse—duke i lënë kompanive vendase komisione dhe detyrimin e pagimit të dëmeve në rast tërmeti.

Projekti nuk parashikon sigurimin e detyrueshëm—  do të ishte tallëse për një vend si Shqipëria, ku shumica e njerëzve luftojnë për nevoja jetike—por parashikon aksione publike për të rritur vetëdijen për sigurimin e pronës ndaj rreziqeve natyrore.

Shqipëria është pjesëmarrëse në këtë projekt dhe skema e sigurimit ekziston edhe këtu, por nuk funksionon, pasi kompanitë e sigurimit nuk kanë dëmshpërblyer askënd që nga viti 2010. Funksionimi i kësaj skeme është pikërisht objekt i pjesës më të madhe të vëzhgimeve të paraqitura në raportin e Bankës Botërore.

Vendosja e një sigurimi të detyrueshëm ka kuptim kur subjekti i siguruar, nga pamundësia për të paguar vetë, i krijon vështirësi një pale të tretë. Shembull tipik është sigurimi i makinës—nëse një makinë e pasiguruar aksidenton një këmbësor dhe pronari i makinës nuk ka para për të paguar dëmet, kush ia paguan dëmin këmbësorit? Për këtë arsye, në të gjitha vendet sigurimi i përgjegjësisë vetjake qytetare, është i detyrueshëm. Në shumë vende ai shoqërohet më një skemë, e cila mundëson dëmshpërblimin e të dëmtuarit nga subjekte të pasiguruara, në mënyrë që të garantojë një siguri shoqërore më të madhe.

Nëse me të vërtet qeveria beson se është në të mirën e vendit të rritet tregu i sigurimeve, ka shumë situata siguruese, të cilat si pasojë e ndikimit pozitiv që mund të krijojnë në shoqëri, mund të bëhen të detyrueshme, qoftë edhe për disa kategori të caktuara.

Ka situata të ndryshme të përgjegjësisë shoqërore që mund të krijojnë dëme të mëdha kundrejt palëve të treta private, me pasojë vështirësi në pagesa dhe konglikte. Këto vështirësi mund të zgjidhen nga një sigurim i detyrueshëm, mjafton të përmendim përgjegjëshmërinë shoqërore të pronave të paluajtshme—një pjesë e fasadës së një pallati bie dhe dëmton një kalimtar, kush paguan?) ose ndoshta në një apartament bie zjarr, i cili krijon dëme në qëndrueshmërinë e pallatit, në këtë rast dëmi duhet të paguhet nga pronari i apartamentit, por vështirë se dikush mund të paguajë një pallat të tërë të ri.

Qeveria Rama e kapur nga interesat e oligarkëve hoqi TVSH-në nga sigurimet, duke thënë që kjo do të shërbente në uljen e çmimit të sigurimit dhe në rritjen e numrit të personave të sigururar. Por kompanitë siguruese e ngritën çmimin e sigurimit duke përfshirë në të edhe vlerën e TVSH-së së hequr. Kështu kompanitë rritën të ardhurat pa shtuar asnjë klient të ri.

Përfaqësuesi i FMN-së e kritikoi këtë vendim të qeverisë, i cili ka krijuar një gropë në buxhet, duke e përcaktuar atë si “një dhuratë për klientët e qeverisë”.

Por pas këtij vendimi, qeveria nuk propozoi sigurime të reja të detyrueshme për shërbimet profesionale, si për shembull për kirurgët apo kontabilistët, të kërkuara në raportin e sipërpërmendur të FMN-së dhe BB-së. Qeveria nuk propozoi as sigurimin të detyrueshëm për ndërtesat publike, gjë e cila do të kishte kuptim, pasi në raste tërmeti , qeveria nuk ka mundësi financiare të rregullojë apo ndërtojë zyra, shkolla e spitale.

Në mënyrë të habitshme dhe gati kriminale, qeveria Rama propozoi vendosjen e sigurimit të detyrueshëm mbi pronat nga rreziku i tërmetit, e cila do të dëmtojë të gjithë qytetarët, veçanërisht familjet e varfra.

Përse duhet të propozohet një sigurim i detyruar për këtë kategori, kur ekziston tashmë një skemë e BB-së për të lehtësuar qasjen vullnetare të familjeve shqiptare në sigurimin ndaj tërmeteve dhe pa asnjë rrezik për kompanitë e sigurisë, të cilat mbulohen nga skema e BB-së?

Thjesht për të shfrytëzuar këtë nismë për të garantuar të ardhura dhe fitime për kompanitë e sigurimit, duke mashtruar pas një “rekomandim'” të shtrembeëruar të Bankës Botërore. Madje duke përfituar edhe nga propaganda vetëdijësuese e projektit të sigurimit të pronës nga tërmetet i Bankës Botërore, që shpjeguam më sipër, i cili tingëllon i njëjtë por është tjetër gjë.

Një taksë tjetër që duhet ta paguajnë shqiptarët, si të mos mjaftonte rritja e taksës mbi fitimet e kompanive, rritja e sigurimeve shoqërore, rritja e taksave vendore dhe rritja e energjisë elektrike. Por për të gërmuar në xhepat gjithmonë e më shumë të boshatisur të shqiptarëve vjen një tjetër partneritet qeveri-oligarki me qëllimin e vetëm rritjen e forcuar të të ardhurave dhe fitimeve të biznesit të sigurimeve.

Një tjetër zhvatje me mashtrim e një qeverie gjithmonë e më pak të interesuar për interesin publik dhe thuajse tërësisht të përkushtuar në mbrojtje të vjedhjes së popullit dhe vendit, tashmë të rrënuar, nga oligarkët e përhershëm në dëm të popullit.

___________

Artikuj të lidhur:

Qytetarët viktima të kartelit të kompanive të sigurimeve

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>