Në filmin The Matrix të regjisorëve Wachowski ne ballafaqohemi me një botë të kontrolluar nga inteligjenca artificiale, ku makinat rrisin dhe kujdesen për njerëzit në kapsula, të cilët përdoren si burim energjie për kompjuterin që kontrollon të menduarit e njeriut, i cili, kësisoj, prodhon imazhe një realiteti që nuk ekziston më. Njerëzit mendojnë se ata po jetojnë jetë normale, por në të vërtetë një program kompjuterik, The Matrix, simulon botën e fundshekullit të njëzetë, një botë që tashmë është veç një djerrinë nukleare.
Personazhi kryesor i filmit, i quajtur në mënyrë simbolike Neo, pi një pilulë që e lejon të zgjohet nga ëndrra e tij, të cilën ia simulon kompjuteri. Me qëllim që të mbijetojë dhe të shpëtojë të tjerët nga tradhëtia e teknologjisë, ai duhet të kalojë përmes realitetit post-nuklear, ku ai dhe një grusht njerëzish të zgjuar nga ëndrra luftojnë me makineritë dhe simulimin paranuklear. Në simulim, Neo lufton me imazhe të burokratëve mbihumanë të krijuar dhe të rritur nga kompjuterat, falë fuqive që burojnë nga dija e tij se bota është e simuluar. Refuzimi për t’u bindur nga fuqia e simulimit se ky i fundit ekziston vërtet i jep Neos lirinë dhe forcën për t’i rezistuar burokratëve të simuluar dhe për të shkatërruar programin kompjuterik që qëndron pas tyre.
Pështjellimi i reales me të simuluarën, portretizuar në The Matrix, është një temë qendrore e filozofit social Jean Baudrillard. Në veprën e tij Simulakra dhe Simulimi, Baudrillard provon se imazhi ka kaluar përmes një gjerdani fazash të njëpasnjëshme, që e bëjnë gjithnjë e më të pamundur të flasësh për realen. Këto faza, sipas Baudrillard-it, zunë fill me imazhe që reflektonin realitetin, të cilat u shndërruan në imazhe që maskonin realitetin, e më tej në imazhe që maskonin mungesën e realitetit dhe përfundimisht në imazhe që nuk kanë asnjë lidhje me realitetin si të tillë. Me fjalët e Baudrillard-it, imazhi në epokën postmoderne ka reshtur së qeni një simulim i realitetit dhe është bërë një simulakër, pra një imazh tërësisht i imagjinuar i realitetit.
Sipas Baudrillard-it, në kohët paramoderne një simulim kishte për qëllim të përfaqësonte realitetin, ashtu sikundër një hartë kishte si funksion të paraqiste gjeografinë fizike që ajo përshkruante. Megjithatë, ndarja ndërmjet realitetit dhe imazhit nisi të thërrmohej në kohët modern, kur prodhimi masiv shpuri në lulëzimin e kopjeve të origjinalëve, duke filluar nga riprodhimet e veprave të artit, deri në imitimet e lira të produkteve të modës. Njerëzit zbuluan se ishte e mundur që imazhet të maskonin realitetin, ose edhe të mbulonin mungesën e realitetit. Kështu zuri fill mashtrimi i madh. Për shembull, në një përkulje ndaj artit konceptual, piktori britanik David Hockney krijoi vepra arti drejtpërdrejt nga fotokopja. Imazhet e tij ngjanin si kopje të veprave origjinale, por origjinalë nuk kishte; kishte vetëm kopje.
Ndërsa propaganda tipike qeveritare dhe politike e çdo enti publik ka si synim të mbulojë keqmenaxhimin, abuzimet apo dështimet, drejtimi i Bashkisë së Tiranës gjatë katër viteve të fundit është shndërruar në modelin më demonstrativ të makinerisë që prodhon pamje të një realiteti që nuk ekziston. Videot e shpërndara për redaksitë e televizioneve dhe mediave të shkruara e elektronike nga Drejtoria e mbipopulluar e Komunikimit në Bashkinë e Tiranës nuk janë hiç më pak se kopje, origjinalët e të cilave nuk ekzistojnë. Një investigim i portalit shuplaka.al në vitin 2016 zbulonte se kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj kishte qëndruar jashtë shtetit tre të katërtat e periudhës së marrë si kampion për vlerësim, ndërkohë që ai shfaqej çdo ditë në televizion duke përuruar vepra publike, apo duke inspektuar punime në lagje të ndryshme të qytetit.
Investigime të tjera vërtetojnë të njëjtën sjellje në periudha të tjera. Ai shfaqet në materialet filmike të shpërndara për mediat nga Drejtoria e Komunikimit në Bashkinë e Tiranës duke vizituar kopshte, duke inspektuar punime në rrugë, duke u konsultuar me ekipin e tij rreth projekteve të infrastrukturës, apo duke mbjellë pemë krah celebriteteve apo kompanive private, ndërkohë që për ditë të tëra shijon pushimet në vende të ndryshme të Europës, SHBA-ve dhe herë-herë edhe në kontinente më të largëta. Katër vitet e qeverisjes së Tiranës nga Erion Veliaj shenjohen nga simulimet dhe shtrembërimet e panumërta të kuptimit, siç janë edhe ‘kopjet origjinale’ të videove propagandistike që transmetohen pa ndalim nga të gjithë mediumet e vendit. Këto reality show prodhojnë vetëm fabrikime, që nuk kanë asnjë lidhje me ndonjë realitet përtej shtirjes të spektaklit.
Bashkia e Tiranës është shndërruar në një Disneyland ku, siç vëren Baudrillard-i, aktorët e vërtetë portretizojnë personazhet e animuara dhe vizitorët bëjnë një udhëtim në varka të vërteta përgjatë një Misisipi të rremë. Qytetarët e Tiranës, të shndërruar në vizitorë të magjepsur të këtij Disneyland-i, kanë shumëfishuar, kësisoj, bashkëqytetaren e tyre në një lagje mjaft të urbanizuar të Tiranës, e cila qeras fqinjët dhe mikeshat e saj me rastin e martesës së Zhades me Saidin, dy personazhe të një telenovele mjaft popullore në Shqipëri. Në simulakrën bashkiake të Erion Veliajt nuk ekziston asnjë kuptim i thellë apo strukturë bazë që fshihet poshtë sipërfaqes mbi të cilën luajnë imazhet e bashkisë së tij hiper-reale. Simulakra bashkiake tregon se koncepte si kuptimi dhe struktura, realiteti dhe fabrikimi, kopja dhe origjinali, mund të hidhen tej nga të menduarit e qytetarëve të epokës së Erion Veliajt.
Baudrillard-i mëtonte se në postmodernizëm rolet e përkundërta, si realiteti/imazhi, fakti/fantazia, subjekti/objekti, publikja/privatja etj., thërrmohen për të krijuar një hiper-realitet, ku ‘iluzioni nuk është i mundur më, sepse vetë realiteti nuk është i mundur më’. Në rrafshin hiper-real, ne zhytemi në simulim duke u orvatur me nostalgji për të riprodhuar atë që mendonim se ishte reale, por që kurrë nuk kishte qenë tjetër veç imazheve. Është për t’u studiuar me kërshëri se si banorët e këtij qyteti dhe rrethinave të tij, të paaftësuar për të shquar realitetin nga imazhi, faktin nga fantazia, subjektin nga objekti apo publiken nga privatja, pasi janë ekspozuar ndaj makinerisë imazherike, dalin përkohësisht nga lëvoret, ku i rrit dhe ushqen bashkia televizive, dhe hipin në autobuzët lëtyrë, të nxjerrë si skarcitete nga komunat e varfra dhe të trazuara të Turqisë juglindore, për të shkuar në një miting ku do të prezantohen sukseset e Erion Veliajt. Brenda tyre, sipas Baudrillard-it, ndodh shndërrimi i strukturës së gjykimit intelektual dhe moral në një klepsidër, që i privon nga shijimi i qoftë edhe një pasqyrimi.
Ndonëse ne mund të mendojmë se Disneyland është imagjinar (thjesht performancë) dhe pjesa tjetër e botës është reale, është, në fakt, pjesa tjetër e botës që është në një performancë të paprerë, përmes të cilës ne rrekemi të jetojmë sipas imazheve që na janë ushqyer nga Disneyland, media, qeveria, bizneset dhe institucione të tjera moderne. Është, pra, ky qytet i kompleksuar që në një performancë lebetitëse vetështrëngohet për t’iu përshtatur atij gjykimi ‘sipëror’ dhe ‘emancipues’ që ka sjellë Erion Veliaj dhe hiper-realiteti i tij bashkiak. Bash ashtu siç The Matrix portretizonte një simulim brenda të cilit njerëzit jetojnë, ne, banorët e Tiranës së epokës së Erion Veliajt, i krijojmë jetët tona duke përdorur imazhet për t’u vetëpërkufizuar përpara vetes.
A ka ndopak shpresë që ne të rrokim diç nga kuptimi i hiper-realitetit, kur shohim se si imazhet që pluskojnë rreth nesh çdo ditë prodhohen nga organizmat të cilave u shërbejnë?