Sindikata e Minatorëve nis peticion për miratimin e ‘statusit të minatorit’

Nga Exit News
Sindikata e Minatorëve nis peticion për miratimin e ‘statusit të minatorit’

Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës (SMBB) ka nisur një peticion për t’i kërkuar kuvendit miratimin sa më parë të statusit të minatorit.

Përmes një postimi nga faqja zyrtare e SMBB, njoftohet se vetëm në një pjesë të Qarkut të Dibrës, minatorët kanë mbledhur 2 mijë firma. Sindikata e Minatorëve i ka bërë thirrje çdo qytetari që të firmosë peticionin.

“Për shkak të interesit të madh, edhe fillimin e javës së ardhshme do të vazhdojmë me mbledhjen e firmave në Bulqizë dhe rrethinat, shtëpi më shtëpi e fshat më fshat. Në ditët në vazhdim do të jemi edhe në qytete të tjera përtej Dibrës. Bashkohuni për të firmosur Peticionin dhe për të mbledhur firma për të. Mund të firmosë çdo qytetar mbi 18 vjeç”, shkruan Sindikata.

Kërkesat që minatorët shtrojnë përmes këtij peticioni janë, sigurimi i jetës për minatorët, rritje e pagave dhe përftimeve. Po ashtu, ata kërkojnë rritje të pensioneve për minatorët, si dhe garantim të kujdesit shëndetësor të veçantë për minatorët dhe ish-minatorët.

“Statusi i Minatorit nuk është vetëm për minatorët. Është edhe për familjet e tyre, edhe për ish-minatorët që sot janë në pension, edhe për të afërmit e tyre. Është një e drejtë thelbësore që i takon profesionit më të vështirë dhe më të rrezikshëm”, nënvizon Sindikata e Minatorëve.

Nisma për statusin e minatorit është një nga format e së drejtës për të propozuar ligje. Ky  është i domosdoshëm për minatorët dhe të gjithë ish-punonjësit e minierave, pasi parashikon trajtim të posaçëm financiar, përcaktim të saktë të viteve të punës dhe kontributeve për daljen e parakohshme në pension në krahasim me moshën e përcaktuar për profesionet e tjera përshkak të vështirësisë në punë, si dhe  trajtim për invalidët gjatë punës të kësaj kategorie.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>