Kreu i PD-së Lulzim Basha u takua të hënën me sipërmarrës në disa prej rrugëve kryesore të Tiranës për t’i njohur me planin e rimëkëmbjes së ekonomisë.
Gjatë vizitës në Rrugën e Durrësit dhe në rrugën ‘Myslym Shyri’, Basha u njoh me shqetësimet e sipërmarrësve.
Shumë prej tyre thanë se situata është shumë e keqe, pasi jo vetëm janë goditur nga pandemia, por dhe nga nismat e bashkisë Tiranë.
Pronarja e një dyqani në Rrugën e Durrësit tha se u ndeshën me bllokimin e rrugës nga të dyja anët nga Bashkia e Tiranës, pa asnjë lajmërim, brenda natës, gjatë muajve të verës, kur bizneset sapo kishin filluar punë pas karantinës. Bllokimi i dy anëve të rrugës për ndalimin e makinave, sipas saj, ka ndikuar ndjeshëm në rënien e punës dhe ka shkaktuar probleme me furnizimet.
Basha tha se për shkak të gjithë këtyre probleme, PD ka propozuar një plan rimëkëmbjeje ku parashikohet dhe një çek prej 1000 eurosh për të ndihmuar biznesin e vogël në këtë periudhë, për të shlyer detyrimet minimale.
Ai theksoi rëndësinë e mbështetjes ndaj biznesit të vogël, si punëdhënësi më i madh në vend.
Shumë prej sipërmarrësve e quajtën vitin 2020 si një sfidë për mbijetesë dhe se nuk shohin asnjë shpresë për ringritje, nëse situata vazhdon pa ndryshim.