Sipërmarrësit shqiptarë kanë shprehur shqetësimin e tyre për klimën aspak të favorshme për të bërë biznes në vend.
Konfindustria, shoqata e pavarur e sipërmarrësve shqiptarë, me anë të një letre shprehet se biznesi shqiptar nuk arrin të jetë mjaftueshëm konkurrues në rajon e se Shqipëria nuk është aspak tërheqëse për investimet e huaja.
Një pjesë të konsiderueshme të “fajit”, sipas sipërmarrësve, e ka shteti për lejimin e “kapjes” së tij nga disa monopole e oligopole.
Si një tentativë për të përmirësuar këtë gjëndje, Konfindustria i është drejtuar qeverisë shqiptare me disa kërkesa, ku ndër më të rëndësishme janë:
- ndërhyrja në hapjen e tregjeve nëpërmjet luftës kundër:- monopoleve, karteleve dhe oligopoleve, korrupsionit të të gjitha llojeve dhe kryesisht te tipit të “state capture/ kapjes se shtetit” ne prokurime, koncesione apo privatizime
- marrja e masave për rritjen e domosdoshme te investimeve vendore dhe sidomos te huaja ne ekonominë kombëtare;
- hartimi i politikave fiskale te ngjashme me vendet e rajonit, çka do të ndihmojë biznesin vendas të jëtë më konkurruese;
- përmirësimi i ndërtimit dhe funksionimit të sistemit financiar dhe bankar, që shihen si parakushte për rritjen e dëshiruar të investimeve të huaja dhe të vendit.
Përveç ndikimit të drejtëpërdrejtë në mirëqenien e qytetarëve, shoqata e sipërmarrësve shprehet se përmirësimi i klimës së biznesit do të ndikonte në ndërprerjen e largimeve masive të shqiptarëve drejt vendeve të BE-së , shumica fuqi e re punëtore.
Klima jo e përshtatshme për të bërë biznes në Shqipëri është vënë në dukej dhe nga Fondi Monetar Ndërkombëtar apo dhe nga raporte të ndryshme si “Doing Business”.