Shërbimi Kombëtar i Shëndetit në Britani ka zbuluar të dhënat e personave të vaksinuar, për shkak të një dështimi në sistemin e rezervimit online të vaksinimit.
The Guardian raporton se problemi më i madh u zbulua pikërisht në lidhje me personat që kanë përfunduar procesin e vaksinimit plotësisht.
Për të rezervuar takimin e parë dhe të dytë, sistemi kërkon të dhëna specifike të identitetit të personit apo kodin e sigurimeve.
Por, mjafton futja e disa të dhënave të përgjithshme për personat që kanë mbyllur vaksinimin dhe sistemi lehtësisht të konfirmon se ke marr të dy dozat.
Të dhënat e përgjithshme mund të futen edhe nga miq, koleg, punëdhënës apo të afërm, që mund të kontrollojnë statusin pa dijeninë e personit.
Akoma më problematike është gjendja për ata përdorues që kanë marr një vaksinë përmes një mjeku dhe kërkojnë të rezervojnë të dytën.
Webfaqja i lejon të rezervojnë në vend takimin e dytë, pa ndonjë verifikim të mëtejshëm.
Kritikët e kanë quajtur dështim serioz të ruajtjes së të dhënave të individëve.
“Ky sistem digjital ka lënë statuset e vaksinave Covid të popullatës të ekspozuara ndaj absolutisht kujtdo, që është i interesuar. Data e lindjes dhe kodi postar janë fusha të të dhënave që mund të gjenden ose blihen lehtë, madje edhe në listën zgjedhore,” tha Silkie Carlo, drejtori i grupit të privatësisë Big Brother Watch.
Shërbimi Kombëtar i Shëndetit deklaroi se po punonte për të rishikuar problemin e faqes.
“Shërbimi online i ‘rezervimit të vaksinimit të koronavirusit’ u ka mundësuar miliona njerëzve që të rezervojnë vaksinat e tyre shpejt dhe me lehtësi, me mbi 17 milion takime të dozës së parë dhe të dytë të bëra në më shumë kater muaj,” tha një zëdhënës.
Ai shtoi se sistemi nuk ka qasje në të dhënat mjekësore të askujt dhe se duhej përdorur vetëm për qëllimin për të cilin ishte krijuar.