Skandal: Si po përvetësohet kompleksi monumental i Kalasë së Tiranës para syve të të gjithëve

Skandal: Si po përvetësohet kompleksi monumental i Kalasë së Tiranës para syve të të gjithëve

Mediat njoftuan para pak ditësh se një firmë përmbaruese ka nxjerrë në ankand truallin prej 330 mmbi të cilën është ndërtuar diskoteka e famshme Folie Terrace në Tiranë.

Çmimi fillestar i ankandit është 4 mijë euro për m2, për një vlerë totale prej afërsisht 1.3 milionë euro. Ankandi bëhet për llogari të Bankës Tirana Bank, ndaj të cilës pronari i supozuar i truallit ka një kredi të pashlyer.

Lokali Folie Terrace ndodhet në qendër të Tiranës, në Rrugën Murat Toptani, e njohur si “Pedonalja”. Lokali, një strukturë metalike i mbyllur me panele sanduiç, është ndërtuar pak muaj më parë në lulishten e Kalasë së Tiranës, ekzaktësisht në vendin ku për vite me rradhë ka patur një diskotekë të hapur, po me emrin Folie.

Lokali është ndërtuar në shkelje të hapur me çdo ligj të trashëgimisë kulturore, në një zonë të gjelbërt në brendësi të një objekti monument kulture, dhe shfrytëzohet për qëllime private fitimprurëse nga pronari Alban Xhillari. Ai ka pushtuar edhe bregdetin e Jalës me një lokal po aq shumë të zhurmshëm dhe abuziv me të njëjtin emër, “Folie”. Ndërkohë Xhillari konsiderohet prej kohësh i falimentuar, për shkak të kredive të shumta të papaguara.

Ndërsa toka, objekt i shitjes, mund të jetë shtënë në pronësi Xhillari, por ndërtimi mbi të nuk mund të jetë i regjistruar në hipotekë në emër të askujt pasi është ndërtim i paligjshëm. Kjo do të thotë që përmbarimi po nxjerr në shitje një tokë, sipër së cilës ka një krim urbanistik dhe kulturor, krim që është duke u ekzekutuar.

Por është e qartë se i vetmi interes që ndokush mund të ketë për të blerë tokën në ankand është ai i ndërtimit aktual apo i një ndërtimi tjetër në të ardhmen. Kjo do të thotë se Tirana Bank ose është duke marrë pjesë në një vepër korruptive dhe kriminale ose po luan bllof me shpresën e gjetjes së ndonjë naivi që do ta blejë tokën pa e ditur se mbi të nuk mund të ndërtohet.

Por me shumë gjasa, situata është edhe më problematike. I gjithë kompleksi i njohur si Kalaja e Tiranës i është dhënë me qera diku nga fundi i viteve 90-të, me një vlerë qesharake nga shteti, disa subjekteve private. Këto të fundit i kanë transferuar kontratat e qerasë me shtetin (ose shoqëritë me të cilat kontratat ishin lidhur) Alban Xhillarit apo shoqërive të tij.

Mbi bazën e këtyre marrëveshje nënkontraktuese (ligjshmëria e të cilave është e dyshimtë) Alban Xhillari, me mbështetjen e Edi Ramës, në atë kohë Ministër i Kulturës, filloi diku nga viti 1999 ndërtimin e kinema Milleniumit, në selinë e vjetër të Pallatit të Pionierit. Më pas ai hapi edhe një restorant në ambjentet e brendëshme të kompleksit.

Është e paqartë se si Alban Xhillari mund të jetë bërë pronar dhe mund të hipotekuar në emrin e tij tokën publike në brendësi të kompleksit. Sido që të jetë, ajo nuk mund të jetë bërë veçse në mënyrë të paligjshme.

Tani Banka Tirana ka nxjerrë në shitje këtë pjesë të Kompleksit të Kalasë, i cili duhet të ishte pronë publike dhë në rast të falimentimit të shoqërisë që e ka marrë me qira duhet që t’i rikthehej plotësisht publikut.

Për këtë arsye, Ministria e Ekonomisë, e cila është në emër të shtetit pronarja e pronave publike, duhet të ndërhyjë për ndërprerjen e këtij ankandi. Ndërkohë prokurori duhet të fillojë të hetojë si ka ndodhur që një tokë e dhënë me qira shumëvjecare nga shteti tek privati është tjetërsuar kur ligji nuk e lejon këtë gjë në asnjë lloj rrethane.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>