Gjykata e Tiranës ka pezulluar, sot, nga detyra Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Haki Çako, i cili akuzohet për shpërdorim detyre në çështjen e përfolur të pajisjes së përgjimi.
Kjo masë ishte kërkuar nga Prokuroria e Përgjithshme, e cila akuzon Drejtorin Çako se në bashkëpunim ka lejuar futjen në vend dhe përdorimin e një pajisje përgjimi të telefonave celularë, në shkelje të ligjit dhe rregullave administrative, përfshi mungesën e autorizimit nga Prokurori i Përgjithshëm.
Dy zyrtarët e tjerë, Artion Duka dhe Entjon Xhelili, akuzohen për shpërdorim detyre dhe kryerje të veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës. Gjykata vendosi për ta masën e sigurisë “arrest shtëpie”.
Vendimi i Gjykatës duket se konfirmon akuzat e opozitës dhe të mediave se policia ka zhvilluar një operacion të paligjshëm përgjimi. Pretendimet e opozitës janë se objekt i përgjimit kanë qenë politikanë të opozitës, por edhe të shumicës, si dhe diplomatë të huaj.