Skena e Lindjes në Tiranë

Skena e Lindjes në Tiranë

Siç është zakoni në ditën e Krishtlindjes, redaksia e Exit mendoi të rindërtonte Skenën e Lindjes me personazhe nga skena politike shqiptare, por shpejt vendosëm të heqim dorë. E filluam mirë por pastaj ngecëm.

Për të zëvendësuar kaun dhe gomarin nuk qe e vështirë dhe i gjetëm shpejt; për tre Mbretërit dijetarë qe gjithashtu e thjeshtë – Koço në variantin 3K; për barinjtë dhe delet menduam që nuk kishte nevojë të ndryshonim gjë; Kometa tashmë i është ngjitur fasadës së Kryeministrisë, e cila mund të përdorej në vend të Shpellës së shenjtë. Por problemin e patëm me engjëjt, Shën Jozefin, Zonjën e Bekuar dhe sidomos Fëmijën.

Pasi u menduam pak për engjëjt e gjetëm zgjidhjen – vendosëm të vinim Lindën me shoqet e saj gazetare dhe të bënim sikur nuk kishte ndodhur gjë.

Një moment thamë të vendosnim Ilirin dhe Monikën në vend të Jozefit dhe Marisë, por nuk na u duk mirë. pastaj menduma për Topallin, por nuk gjetëm me kë ta vinim.

Por, vështirësinë kryesore e patëm më Fëmijën, Perëndinë e bërë njeri, Shpëtimtarin e Njeriut, Birin e Perëndisë…

Nuk na vinte askush në mëndje për ta vendosur në djep. Menduam për një çast Lulin, por duhej dikush që qante e jo që qeshte gjithë kohës.

Kur ishim gati të dorëzoheshim e ta linim këtë punë, na u afrua një sigurims që na dorëzoi një dekret qeveritar, të pabotuar në faqen e Kryeministrisë, që detyron çdo shqiptar të zbatojë planin rregullues shtetëror për çdo skenë lindjeje, projektuar nga Atelier 4, në bashkëpunim me Anri Salën, të përzgjedhur nga një juri ndërkombëtare:

Artanët (Lame e Shkreli) në vendin e Engjëjve;

Berisha në vendin e Jozefit;

Iliri në vendin e Virgjëreshës Mari;

Djepi t’i jepet me konçension Vilmës, e cila të vendosë kë të dojë brenda për 20 vitet e ardhshme.

Dekreti mbyllej me Zbulesën se përmbajtja i ishte pëshpëritur Atij nga Papa Françesku atë ditë në aeroport.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>