Socialistët ngrenë komisionin për hetimin e Metës, por nuk kanë gjasa ta shkarkojnë atë

Socialistët ngrenë komisionin për hetimin e Metës, por nuk kanë gjasa ta shkarkojnë atë

Shumica socialiste miratoi dje ngritjen e Komisionit Hetimor për shkarkimin e Presidentit Meta. 101 deputetë votuan pro, gjashtë kushtër, tre abstenuan, ndërsa një deputet nuk votoi.

Komisioni do të përbëhet nga nëntë anëtarë: pesë socialistë – Ulsi Manja si kryetar, Bashkim Fino, Alket Hyseni, Klotilda Bushka dhe Vasilika Hysi si anëtarë; dhe katër deputetë të opozitës së re: Alban Zeneli, Adriatik Alimadhi, Halit Valteri dhe Krenar Rryçi.

Komisioni do të ketë kohë 3 muaj për të bërë hetim administrativ të ushtrimit të detyrës dhe vendimeve të Presidentit Meta për zgjedhjet vendore të 30 qershorit.

Por, të gjitha veprimet e ndërmarra nga socialistët për shkarkimin e Metës, duken më shumë si teatër i drejtuar nga Kryeministrit Rama, se sa si një akt politik i bazuar në ligj dhe në Kushtetutë. Sepse socialistët e dinë shumë mirë që sipas ligjit, Gjykata Kushtetuese është i vetmi institucion që ka kompetencën për të shkarkuar Presidentin.

Sipas nenit 131, pika 1 (dh) e Kushtetutës përcakton qartë se “Gjykata Kushtetuese vendos për shkarkimin nga detyra të Presidentit të Republikës dhe vërtetimin e pamundësisë së ushtrimit të funksioneve të tij”.

Por Gjykata Kushtetuese ka rreth dy vite që nuk funksionon për shkak se nga nëntë anëtarë që duhet të ketë, aktualisht ka vetëm një. Paradoksi qëndron se tre nga anëtarët e kësaj gjykate do të zgjidhen nga Presidenti. Në këto kushte do ishte absurde të mendohej se ky i fundit do të zgjidhte anëtarët në një kohë të afërt, kur çështja e parë që do shqyrtonin do të ishte pikërisht shkarkimi i tij.

Më poshtë, Exit.al sjell procedurën ligjore që duhet të ndiqet për shkarkimin e Presidentit.

Kushtetuta në nenin 90 përcakton:

“2. Presidenti i Republikës mund të shkarkohet për shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe për kryerjen e një krimi të rëndë.”

Sipas pikës së mësipërme për të nisur procedurën e shkarkimit duhen plotësuar 2 kushte:

  1. Presidenti të jetë në shkelje të rëndë të Kushtetutës.
  2. Presidenti të ketë kryer një krim të rëndë.

Neni 112 i Rregullores së Kuvendit rendit hapat nga momenti i depozitimit të kërkesës së 35 deputetëve në Kuvend e deri në përfundim të procedurës.

Hapat e parë, atë të dorëzimit të një kërkese në Kuvend nga të paktën 35 deputetë, kërkesën për ngritjen e një komisioni hetimor dhe ngritjen e tij, shumica socialiste tashmë i ka plotësuar.

Tani komisioni hetimor  është i detyruar të thërrasë presidentin dhe t’i japë kohën e mjaftueshme për tu dëgjuar, në lidhje me propozimin për shkarkim.

Nga ana tjetër, nëse Presidenti kërkon të dëgjohet në komision, atëherë komisioni është i detyruar ta dëgjojë duke i lënë kohë të mjaftueshme për të përgatitur mbrojtjen dhe për të dhënë sqarime lidhur me faktet e paraqitura nga deputetët.

Në përfundim të hetimit, komisioni hetimor duhet të paraqesë përpara Kuvendit një raport me arsyet dhe motivet për shkarkimin e Presidentit. Brenda 20 ditëve nga paraqitja e raportit caktohet seanca plenare nga Konferenca e Kryetarëve.

Në përfundim, Kuvendi vendos për shkarkimin e presidentit me 93 vota. Ky vendim i dërgohet Gjykatës Kushtetuese brenda 5 ditëve dhe vetëm kjo e fundit ka kompetencën për të shkarkuar Presidentin.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>