Socialistët rrëzojnë dekretet e Presidentit, pro koncesioneve 280 milionë euro të rrugëve

Socialistët rrëzojnë dekretet e Presidentit, pro koncesioneve 280 milionë euro të rrugëve

Socialistët rrëzuan sot në Komisionin e Ekonomisë 5 dekrete të Presidentit Ilir Meta, i cili pati kthyer gjatë muajve të shkuar këto ligje:

  • Ligjin për privatizimin dhe dhënien në përdorim të shoqërive tregtare dhe institucioneve shtetërore të ndërmarrjeve apo objekteve të vecanta
  • Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit
  • Ligjin për koncesionet dhe partneritetin publik privat (PPP)
  • Për koncesionin e rrugës Orikum-Dukat
  • Për koncesionin Milot-Balldren

Tre ligjet e para ishin ndryshime ligjore, të cilat socialistët, sipas Presidentit, i miratuan në mungesë të konsultimeve me opozitën, por edhe në shkelje të propozimeve fillestare, të cilat vunë në dyshim qëllimin e vërtetë të tyre.

Presidenti e ktheu ligjin për planifikimin dhe zhvillimin e territorit, sepse “u miratua pa u konsultuar, lejon ndryshimin e projekteve në ndërtim në mënyrë të pasaktësuar dhe mund të krijojë keqinterpretime, të cilat mund të sjellin shpërdorime fondesh, mund të dëmtojnë interesin publik dhe mund të nxisin konflikte mes sipërmarrësve dhe pronarëve”.

Për ligjin për koncesionet, Presidenti Meta pati akuzuar drejtuesin e Komisionit të Ekonomisë, deputetin socialist Arben Ahmetaj, se shtyu afatet e kufizimit të koncesioneve të pakërkuara për qëllime klienteliste.

Në ndryshimin e ligjit për koncesionet dhe PPP parashikohej që kur të miratohej, t’i kufizonte koncesionet e pakërkuara që nga 1 korriku, por kur kaloi për t’u votuar më 18 korrik, ish-Ministri i Financave Ahmetaj propozoi ndryshimet e dy neneve të fundit, të cilat i zgjatën më tej afatet deri në 1 tetor.

Për sa i përket rrugëve Milot-Balldren dhe Dukat-Orikum, përfaqësuesit e Presidencës ri-argumentuan vendimet për kthimin e këtyre koncesioneve, por socialistët i kundërshtuan me argumentin se qëndrimi i Presidentit ka qenë “politik, paragjykues për investimet afatgjata” dhe i rrëzuan dekretet e tij.

Meta i ktheu dy koncesionet me argumentin kryesor se kishin kosto të fryra dhe ishin miratuar me ligj për arsyen se duke u miratuar kështu do të mbuloheshin aferat korruptive.

Sipas ligjit, rruga 14 kilometrash Orikum-Dukat dhe Milot-Balldren 17 kilometra do të ndërtohen dhe mirëmbahen nga privatët për 280 milionë euro (67 milionë euro, 213 milionë euro).

Pas rrëzimit të këtyre dekreteve ato pritet të kalojnë për t’u miratuar në Parlament.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>