Ambasadori i BE-së në Tiranë Luigi Soreca deklaroi, të hënën, se vendi ka ende punë për të bërë me reformat e kërkuara nga Bashkimi Europian deri në Konferencën e Parë ndërqeveritare.
Gjatë një vizite në Kukës, Soreca u shpreh se është me rëndësi që të bëhet sa më parë ringritja e Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Lartë:
“Kryesorja është plotësimi i kushteve dhe në drejtësi. Do shikojmë sa do përmbushet kushti për ngritjen e Gjykatës Kushtetuese. Kam mirëpritur vendimin e Presidentit dhe Parlamentit për nxjerrjen e dy vendeve vakant për Gjykatën Kushtetuese. KLGJ duhet të bëjë vlerësimin dhe ky është një kusht që duhet të përmbushet në javët në vijim për fatin e konferencës së parë ndërqeveritare.”
Lidhur me Reformën Zgjedhore, Soreca shprehu shqetësimin për miratimin e njëanshëm të ndryshimeve të Kodit Zgjedhor:
“Ju e dini qëndrimin e BE për Reformën Zgjedhore. Ne kemi punuar për marrëveshjen dhe u përmbush kushti për administratën zgjedhore. Ne kemi shprehur keqardhjen që shumica vijoi punën pa konsensus. Ne duhet të punojmë fort që zgjedhjet të bëhen të lira e të ndershme.”
Pyetur për zhvillimin e Konferencës së Parë Ndërqeveritare, Soreca theksoi se disa prej kushteve janë plotësuar por ka ende punë për të bërë:
“Është bërë shumë e qartë se cilat janë kushtet që duhet të përmbushë Shqipëria duhet të përmbushë për të arritur konferencë e parë ndërqeveritare. Shqipëria është vërtet shumë afër këtij procesi, ka ende punë për të bërë. Qeveria është në dijeni për të gjithë këtë proces. BE e ka shprehur qartë dëshirën për të filluar sa më shpejt me këtë çështje.”